LDK po bëhet gati ta çojë Thaçin në Gjykatë Kushtetuese

Në LDK thonë se nuk do ta përkrahin në asnjë mënyrë Thaçin për kryenegociator dhe deklaratat e tij për lëvizjen e kufijve – bashkim me Luginën, nuk po e tërheqin partinë e Isa Mustafës. Përkundrazi, LDK planifikon që fjalët e Thaçit për ndryshim të kufijve t’i paraqes në Gjykatën Kushtetuese. Vjosa Osmani ka treguar për Express se janë duke bërë gati kërkesën për interpretim nga Gjykata për ato që LDK po i konsideron shkelje kushtetuese nga ana e Presidentit.

Marketing

Nga mbledhja e fundit e kryesisë së LDK’së, që u drejtua nga kryetari Isa Mustafa, kjo parti doli me qëndrim edhe më të fortë kundër Presidentit Thaçi, përkatësisht udhëheqjes së dialogut me Serbinë nga ai dhe prekjes së kufijve të vendit.

Deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani, ka thënë për Gazetën Express se partia e saj po përgatitet që rreth deklarimeve të Presidentit Thaçi për ndryshim të kufijve të kërkojnë interpretim nga Gjykata Kushtetuese, pasi i konsiderojnë si jokushtetuese.

“Në rastin konkret, me veprimet e tij të fundit, Presidenti po bënë shkelje të vazhdueshme të obligimeve të tij kushtetutese, prandaj edhe është konsideruar e domosdoshme që t’i drejtohemi gjykatës”, ka thënë Osmani për Gazetën Express.

Nga ana tjetër, Presidenti Thaçi po ngulmon që në takimin e ardhshëm në Bruksel të paraqesë propozimin e tij për – siç po e quan ai – korrigjimin e territorit. Deri më tash ai nuk ka marrë përkrahjen as nga kryeministri, as nga kryeparlamentar, e aq më pak nga partitë opozitare. LDK ka vendosur që të parin e vendit ta çoj në Kushtetuese.

“Nga mbledhja e Kryesisë së LDK-së, është kërkuar që për shkak të shkeljeve të vazhdueshme nga ana e Presidentit të vendit, duhet t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. 30 apo më shumë deputetë kanë të drejtë që në çdo kohë t’i drejtohen gjykatës kushtetuese për të vlerësuar nëse Presidenti është duke bërë shkelje serioze të kushtetutës”, ka thënë Osmani.

Tutje, deputetja e LDK’së ka thënë se janë duke u përgatitur, ndërsa ka treguar se i duhet edhe përkrahje nga deputetët tjerë të tjerë të opozitës.

“Për momentin jemi ende duke analizuar argumentet dhe duke ndërtuar ekipin, por së shpejti do të njoftoheni për më shumë detaje. Për shkak se proceduralisht ky rast kërkon së paku 30 nënshkrime të deputetëve, kjo do të thotë që na duhet bashkërendim dhe përkrahje edhe nga deputetet e tjerë të opozitës”, ka përfunduar Osmani.

Marketing