17 vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit e gjen vendin në një moment shumë të rëndësishëm, pasi jemi në prag të anëtarësimit në NATO dhe në prag të fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, deklaroi Lideri i BDI-së Ali Ahmeti.
Me marrëveshjen e Ohrit kemi një Maqedoni Ndryshe nga ajo që ishte para vitit 2001 thotë lideri i BDI-së sipas të cilit kjo marrëveshje mund të jetë model edhe për vendet tjera që kanë kriza.
Lideri i integristëve, Ali Ahmeti hodhi poshtë zërat për mos-marrveshje brenda-partiake, duke e arsyetuar moton e manifestimit të nesërm si adekuate, pasi sipas tij, vendi ndodhet në prag të anëtarësimit në NATO dhe BE.
Aspak nuk ka mos-marrëveshje partiake dhe unë më duket se që në fillim e spjegova moton, sepse është momenti i tillë që ky organizim të bëhet nga zv.kryeministri për euro-integrime, sepse motoja e këtij viti është “Rruga për në NATO dhe për në BE kalon nëpër Ohër. Vet marrëveshja e Ohrit është si rezultat i përpjekjeve dhe vendosjes së standardeve që na afrojnë me Evropën. Është si rezultat i vet angazhimit të që në këtë vend të instalohet paqa stabiliteti, siguria”, tha Ali Ahmeti, lider i BDI-së.
Megjithëse kanë mbetur pezull shumë pika të kësaj marrëveshjeje kornizë, si: çështja e gjuhës shqipe apo sistematizimi i administratorëve, për Ahmetin Maqedonia pos që është më ndryshe pas 2001-shit, por tani mund të merret model nga vendet tjera që kanë kriza dhe çështje për të zgjidhur.
Ahmeti tha se gjithashtu po punohet edhe për zgjidhjen e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së.
Asgjë nuk është pezull. Ligji për gjuhën është miratuar në Parlamentin e Maqedonisë. Ai ligj nuk ka kthim pas. Është çështje kohe se kur do të fillojë nga zbatimi praktik. Çështja e administratorëve është çështje që ka filluar të zbatohet. Është bërë shpërndarja e tyre, gati më shumë se gjysma. Është në rrugë e sipër edhe zgjidhja e statusit edhe të gjysmës tjetër”- deklaroit Ali Ahmeti, lider i BDI-së.
Nesër mbushen plotë 17 vjet nga dita kur u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit mes UÇK-së dhe forcave të sigurisë së shtetit. Pas çka u bënë shumë ndryshime kushtetuese dhe ligjore, me të cilat ndër tjerash parashikohet që pos maqedonishtes në institucionet shtetërore të përdoret edhe gjuha që flasin së paku 20% e popullsisë, pra shqipja.