SHGM ankohet te diplomatët për kodin zgjedhor

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë Naser Selmani dje dhe sot ka realizuar takime të ndara me diplomatë të akredituar në Shkup.

Marketing

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë Naser Selmani dje dhe sot ka realizuar takime të ndara me diplomatë të akredituar në Shkup, në të cilin ka shprehur shqetësimin për ndryshimet në kodin Zgjedhor për legalizim të propagandës politike nëpër media me të holla publike dhe rregullim indirekt të onlajn-mediave, të cilët do të kenë efekt negativ ndaj lirisë së mediave.

Udhëheqësia e SHGM-së shqetësimin ua shprehu ambasadorit francez Kristian Timonie, ambasadorit të Mbretërisë së Holandës Vilem Vauter Plomp, zëvendës-ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian Lukash Holub, si dhe këshilltari politik në Ambasadën amerikane Poll Graden.

“Selmani bashkëbiseduesve u shpjegoi se qeveria dhe opozita dëshirojnë që me të holla publike të zhvillojnë propagandë politike nëpër media gjatë fushatës zgjedhore dhe me këtë ta kthejnë sistemin e vjetër korruptues midis politikës dhe pronarëve të mediave nga koha e regjimit të Gruevskit. Ai konsideron se të hollat që mediat do t’i marrin për publikim të propagandës politike do t’i bëjë mediat financiarisht të varura, ndërsa kjo do të ndikojë mbi politikën e tyre redaktuese”, njofton SHGM.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë u bëri thirrje diplomatëve që të angazhohen tek qeveria pas referendumit që të tërhiqet mundësia që të holla publike të shfrytëzohen për propagandë politike dhe të hiqet mundësia që Komisioni Shtetëror i zgjedhjeve t’i regjistrojë dhe ndëshkojë onlajn-mediat gjatë ndonjë fushate zgjedhore ose referendum.