Problemet me shikimin si dhe vështirësia për të lexuar janë një ndër problemet shëndetësore më të theksuara që shpesh nis tek të moshuarit. Por ajo që e bën më shqetësuese është mungesa e vizitave tek oftamologu, veçmas blerja e syzeve në tregun e hapur, që u lehtësojnë shikimin në rrugë. Blerësit thonë se afrohen pranë këtij tregu se çmimet janë më të leverdishme, shkruan gazeta KOHA.
Për shkak të pamundësisë financiare ata detyrohen të blejnë syze më të lira. Një tregtar thotë se i orienton blerësit të blejnë syzet, duke ua përllogaritur numrin në varësi të moshës. Por, rastet më të shpeshta janë kur blerësit kërkojnë syze me dioptrinë sipas nevojave të tyre.
Tregtarët e syzeve në Bit Pazar thonë se bëjnë furnizimin me syze nga Kina dhe Bullgaria dhe çmimi lëviz nga 150 denarë në 250 denarë. Ankesat e qytetarëve se materialet e syzeve të lira mund të shkaktojnë probleme në lëkurë, nuk kanë arritur te shitësit. Shitësit theksojnë se çmimet e lira të syzeve u konvenon për buxhetin që kanë qytetarët. Oftamologët ngrenë shqetësimin se syzet e rrugës, ndonëse u zmadhojnë shkronjat për të lexuar, e të moshuarit i dallojnë më mirë, por në fakt u dëmtojnë më keq shikimin, duke shkaktuar pasoja të pariparueshme.
Oftamologu Iljaz Ismaili, drejtor në Klinikën e Syve në Shkup, për gazetën “Koha”, thotë se nga mosha 40 vjeçare, vetëm se fillojnë problemet e para të një pjesë të madhe të popullatës për lexim edhe te ata që nuk kanë patur më herët probleme. Ndërsa, ata që kanë patur shqetësime më herët vetëm se u rritet dioptria ose përkeqësohet pamja e diçkaje, prandaj duhet vizitë te mjeku.
“Është e preferueshme që prej moshës 40 vjeçare, sidomos ata që nuk kanë problem të diagnostifikuara më herët, duhet të paktën një here në vit të kontrollohen te oftamologu, kurse ata të cilët kanë patur diagnoza të më hershme së paku në 6 muaj duhet të bëhet një kontroll”, thotë dr. Ismaili.
Mirëpo, interesimi i qytetarëve për vizita te oftamologu është i pakët dhe kjo, sipas dr. Ismailit, vlen sidomos për të sëmurët nga diabeti.
“Pacientët zakonisht bëjnë kontroll vetëm pasi zbulojnë simptomat e para të sëmundjes edhe pse ka shumë sëmundje në oftalmologji që mund të parandalohen ose mund të zgjatet koha e manifestimit të defekteve”, thotë dr. Ismaili.
Në disa vende të botës praktikohet blerja e syzeve të leximit në treg të hapur, kioska, markete të mëdha. Por, duke e ditur se te ne nuk ka kontrolle se çfarë shitet, dr. Ismaili tërheq vërejtjen se duhet së pari të bëhet një kontroll i mirëfilltë te oftamologu, caktimi i saktë i dioptrisë, e cila është e nevojshme për pacientin.
Problemi financiar për blerjen e syzeve të rekomanduar nga mjeku nuk duhet të shqetësojë pacientët. Dr. Ismaili sqaron se çdo kontroll i pacientit bëhet me libreza dhe është i mbuluar nga Fondi Shëndetësor, se edhe një pjesë e harxhimeve për blerjen e syzeve financohet nga buxheti i këtij Fondi. Prandaj, sipas tij, pacientët e tillë duhet të provojnë që të marrin rekomandimin përmes mjekut, me librezë, se dallimi në çmim nuk është aq i lartë sa mendon një pjesë dërmuese e popullatës. Rekomandimet e mjekut janë se duhet të bëhet kontroll, para vendosjes së syzeve për përdorim të përhershëm ose problem me të pamurit ose për lexim, kurse të moshuarit duhet të bëjnë vizita të syve një herë në tre muaj.
Studimet e fundit të okulistëve vlerësojnë se 41 për qind e të moshuarve të anketuar, ankohen për dëmtim të shikimit. Por ajo çka e bën edhe më shqetësuese situatën, është se vitin e fundit, vetëm 25 për qind e të moshuarve kanë bërë kontrollimin e syve.