“27 prilli”, asnjë nga të akuzuarit nuk pranon fajin

Të akuzuarit për dhunën e 27 prillit në Kuvend gjatë vitit të kaluar, deklaruan se e kuptojnë veprën për të cilën ngarkohen por se nuk e pranojnë fajin. Avokati mbrojtës Sasho Dukovski tha se procedura do të vijojë në mënyrën si ka filluar pasi asnjë nga të akuzuarit nuk janë shprehur se ndihen fajtor, ndërkohë që për procedurën e dëshmive tha se do të nevojitet shumë kohë.

Marketing

Secili nga të akuzuarit, përderisa ndihet fajtor, ka mundur të pranojë fajin dhe në këtë situatë do të ndërpritej procedura ndaj atij të akuzuari dhe do të hapej procedurë e posaçme por siç patë edhe ju në seancën e sotme asnjëri nga të akuzuarit nuk ndihet fajtor dhe kjo fazë përfundoi. Ka aq shumë dëshmi dhe dëshmitarë saqë mendoj se do na duhet disa muaj t’i nxjerrim në pah- tha avokati mbrojtës Sasho Dukovski.

I akuzuari Gorançe Angellovski refuzoi fjalët hyrëse dhe nuk pranoi avokaten Biljana Stojanoviç që gjykata e autorizoi me detyrë zyrtare. Në seancën e kaluar ai kishte hequr dorë nga avokati i tij i deritanishëm.

Seanca e radhës vazhdon më 31 gusht me dëgjimin e 4 dëshmitarëve të propozuar nga ana e Prokurorisë. Do të dëshmojnë deputetët Pavlle Bogoev, Damjan Mançevski, Frosina Remenski dhe Ilija Nikollovski. Seancat е tjera janë vendosur të mbahen nga muaji dhjetor ndërsa familjarët nuk ishin fare të kënaqur me këtë duke thënë se procesi do zvarritet qëllimisht.

Të akuzuar për këtë rast janë gjithsej 33 persona, prej të cilëve 31 për “cenim terrorist të rendit kushtetues”, ndërsa 2 për dhunë.