Kjo klasë e artizanateve të tekstilit vështirë se do të mbushet edhe sivjet me nxënës. Gjysmë të zbrazura janë edhe klasat tjera, ndonëse janë të hapura nëntë paralele për pranimin e nxënësve në vit të parë të shkollës së mesme ekonomike në Kumanovë. Një javë para fillimit të vitit të ri shkollorë, në shkollën profesionale “Pero Nakov” janë regjistruar rreth 70 nxënës të rinj, kurse gjithsej janë mbi 300 nxënës. Drejtori Basri Isaki, thotë se në shtatë paralele do të jenë vetëm nga 10 nxënës, kurse dy do të mbyllen.
“Ne jemi duke bërë çmos që këta kolegë, këtë staf pedagogjik që kemi ta mbajmë në punë. Ende nuk na ka ndodh ky problem, mirëpo në të ardhmen, me ligjet e reja që do të jenë në fuqi, mund që të rrezikohen. Për shembull në mësimin praktik, i cili duhet të mbahet me një numër të konsiderueshëm të nxënësve, ose të jetë një klasë që në të kaluarën kur kishim mbi 25 nxënës i kemi ndarë në dy grupe, kurse tani që kemi 10 nxënës si mund ta realizojmë mësimin praktik në dy grupe,” tha Basri Isak, Drejtor i shkollës së ekonomisë “Pero Nakov”.
Përveç migrimit të familjeve shqiptare, si faktorë tjetër renditet edhe lokacioni i shkollës ekonomike që gjendet në periferi të qytetit. Sociologu Besnik Memeti thotë se gjimnazi dhe shkolla teknike janë të mbushur me kohë, sidomos drejtimi i mjekësisë në të cilin çdo vit regjistrohen rreth 100 nxënës në tri paralele, profesion i cili, sipas tij, iu siguron punën pas diplomimit në shtetet perëndimore.
“Shumica kanë migruar në vendet e huaja dhe të rinjtë po e shohin ardhmërinë e tyre në Perëndim dhe jo këtu. Ndërsa si problem tjetër kyç është se gjimnazi dhe teknika nuk kanë aq problem me numrin e nxënësve sa ka ekonomia, sepse ajo shkollë është jashtë qytetit në një periferi. Edhe kjo ndikon sepse një nxënësi i duhen rreth 2,5 km të ecën në këmbë pa marrë parasysh kushtet atmosferike si janë, me shi, borë ose diell,” tha Besnik Memeti, Sociolog.
Ndonëse nuk janë shifrat alarmante, edhe në gjimnazin “Sami Frashëri” çdo vit ka rënie të numrit të nxënësve. Drejtori Isen Rrahmani thotë se dallimi në shtatë vjetët e fundit është se ka 270 nxënës më pak. Për tetë paralelet e vitit të parë janë regjistruar vetëm 211 nxënës dhe 61 vende kanë mbet të lira.
“Kushtet optimale për të punuar ekzistojnë, por themi se numri i nxënësve është në zvogëlim e sipër. Gjithnjë ne në gjimnaz në afatin e parë të regjistrimit kemi plotësuar numrin e nxënësve, kurse dy tri vitet e fundit, vetëm në afatin e dytë mund të bëjmë plotësimin e vendeve me nxënës edhe atë me kusht për zvogëlimin e numrit të nxënësve nëpër paralele, tha Isen Rrahmani, Drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri”.
Nga drejtoritë e shkollave të mesme me mësim në gjuhën shqipe në Kumanovë, iu bëjnë thirrje Ministrisë së arsimit që të ndërhyjnë në konkurset e pranimit të nxënësve dhe në shpërndarjen e tyre të barabartë ndërmjet gjimnazit, teknikës dhe ekonomisë. Sipas tyre, ministria nuk duhet të lejoj hapjen e paraleleve të reja në drejtimin e mjekësisë, pasi që tejmbushja e tyre, po le të zbrazura drejtimet tjera. /Tv21
SHKOLLAT, MJEKËSIA PLOT – EKONOMIA E ZBRAZUR TELASHET E REGJISTRIMIT TË NXËNËSVE NË KUMANOVË
SHKOLLAT, MJEKËSIA PLOT – EKONOMIA E ZBRAZUR TELASHET E REGJISTRIMIT TË NXËNËSVE NË KUMANOVË
Publiée par TV21 sur Lundi 27 août 2018