Selam Sulejmani
Universiteti i Tetovës për shqiptarët e vendit tonë dhe më gjerë paraqet “Atdheun” e tyre arsimor, shkencor dhe kulturor. Aleanca, ndërveprimi, por mbi të gjitha besnikëria ndaj njëri –tjetrit daton që në përpjekjet e para për themelimin e tij në vitin historik 1994 e deri në ditët e sotme. Ky Universitet, të cilin kombi ynë me të drejtë e quan vatra e dritës dhe diturisë, me punën titanike, veprimtarinë e bujshme arsimore – shkencore, për brezat e rinj nga trojet etnike shqiptare në RM dhe më gjerë, është shndërruar në tempullin e edukimit, arsimimit dhe përparimit mbarëkombëtar.
Sikurse theksonte edhe themeluesi dhe Rektori i parë e historik i UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, “Universiteti i Tetovës ka një histori sa të lavdishme e të bujshme aq edhe të hidhur e të dhimbshme, meqë për lindjen dhe ngritjen e këtij Universiteti shqip u derdh shumë lot, gjak e djersë; pati shumë shpenzime financiare dhe dëme materiale, maltretime, ndjekje, rrahje, arrestime, izolime, burgosje dhe vrasje të shqiptarëve; u bastisën, u plaçkitën dhe u rrënuan shumë shtëpi të tyre vetëm e vetëm pse ne deshëm të mësojmë, të lexojmë e të shkruajmë në gjuhën tonë amtare shqipe. Për këtë Universitet dhe për këtë gjuhë ranë dëshmorë shumë studentë, punëtorë dhe qytetarë shqiptarë: Bedri Halimi, Zejadin Zimberi, Xhemil Abduramani, Burim Hyseini, Abdylselam Emini e të tjerë, gjaku i të cilëve është bërë dritë dhe sot ndriçon rrugën e diturisë sonë”.
Mirëpo, këto humbje rilindësi ynë i quan të vogla para fitores së madhe që arriti Universiteti i Tetovës dhe populli shqiptar në atdheun e vet në Maqedoni. Sipas tij, fituan gjërat e shenjta të popullit: shkenca, arsimi, arti dhe kultura mbi dhunën. Triumfoi dituria mbi barbarinë, shkolla mbi obskurantizmin mesjetar.
Edhe pse nuk mësohet në tekstet e shkollave fillore dhe atyre të mesme, historia e Universitetit të Tetovës është e njohur për fëmijët, të rinjtë dhe brezat tjerë, sepse të gjithë i bashkon misioni dhe vizioni i tij, ndër vite i kanë shërbyer njëri-tjetrit dhe në këtë mënyrë kanë ndërtuar raporte, marrëdhënie dhe bashkëpunim të çeliktë për ta ngritur këtë KALA të pamposhtur të arsimit shqip – Universitetin e Tetovës.
Këtë javë në Universitetin tonë zhvillohet afati i parë i regjistrimit për vitin akademik 2018/2019. Maturantët shqiptarë nga vendi, Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, Lugina e Preshevës dhe vëllezërit tanë të diasporës kanë vërshuar drejt dyerve të fakulteteve tona. Ata, edhe pse janë të vetëdijshëm për realitetin e ri në të cilin funksionon ky institucion, e sjellin në vëmendje sakrificën e gjeneratës së parë të studentëve dhe të pedagogëve, guximin dhe trimërinë që treguan, duke mbajtur ligjëratat e para mësimore para tytave të automatikëve të forcave policore sllave.
Kandidatët – studentët e ardhshëm të UT-së, sot aplikojnë përmes sistemit online, por nuk i harrojnë fjalët e profesor Fadil Sulejmanit se “ne duam lapsin dhe fletoren, nuk duam dhunë”. Ata i shohin me sytë e tyre auditorët bashkëkohorë ku do të studiojnë, por nuk i harrojnë prindërit, vëllezërit që shtëpitë e tyre ia falën UT-së për mësonjëtore. Sot i njohin emrat e profesorëve, por për ata i paharrueshëm mbetet kontributi i pishtarëve universitarë, profesorëve nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët në momentet më kritike të Universitetit të Tetovës dhe në kohën kur ai kishte nevojë më të madhe për kuadro mësimorë, iu përgjigjën me përkushtim thirrjes së këtij Universiteti, duke dhënë aty rregullisht kontributin e tyre profesional – shkencor, përkundër presionit policor dhe vështirësive të tjera.
Studentët e rinj të vitit akademik 2018/2019 do të përfitojnë shumë lehtësime në Universitet, si bursa, trajnime të ndryshme profesionale sidomos përmes programeve arsimore ndërkombëtare, por nuk do ta harrojnë kontributin e miqve ndërkombëtarë të UT-së, që daton nga 1994, sidomos përfaqësuesin e zyrës amerikane në Shkup, profesorin Viktor Komaras, i cili intervenoi te qeveria që ta largojë policinë nga Universiteti, kur ajo ndërhynte vazhdimisht në hapësirat universitare, pengonte mësimin, i shante dhe i rrihte studentët, duke ua shqyer indeksat, librat e fletoret.
Gjatë vitit akademik do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për bashkëpunimin që UT gëzon me universitetet serioze ndërkombëtare, por jam i sigurt se ata përjetësisht do ta kujtojnë AMERIKËN dhe popullin amerikan, sepse Universiteti i Tetovës marrëveshjen e parë për bashkëpunim ndëruniversitar e nënshkroi me Universitetin Xhorxh Vashington të SHBA-ve.
Ata do të studiojnë për arsim, shkencë, kulturë, do të luftojnë për dije, por nuk do t’i harrojnë studentët e po këtij Universiteti që edhe luftuan në vitin 2001 nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Ata sot lexojnë për rangime universitetesh (tërësisht të manipuluara), por me kohë e kanë mësuar se kur kombi të rangon – beson edhe Kina shndërrohet në pakicë para furisë, entuziazmit dhe vendosmërisë së të rinjve shqiptarë për t’u edukuar dhe arsimuar në Universitetin e krenarisë dhe lavdisë kombëtare – Universitetin e Tetovës.