Rasti “Tanku”, merren në pyetje tre dëshmitarë

Tre dëshmitarë të cilët kanë marrë pjesë në furnizimin publik të “mercedesit” luksoz me vlerë prej 600 mijë eurosh, janë marrë në pyetje në seancën e sotme në Gjykatën Penale në Shkup, në procedurën e veçuar kundër ish-ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska.

Marketing

Seanca e sotme nga procedura e veçuar për rastin “Tanku” të Prokurorisë Publike Speciale do të vazhdojë pas pushimit prej një orë e gjysmë për shkak të obligimeve të amësisë të së akuzuarës Jankulloska.

Dy prej dëshmitarëve në vitin 2012 kur është zbatuar furnizimi publik kanë qenë të punësuar në MPB, ndërsa dëshmitari i tretë ka qenë i punësuar në Mak Auto Star.
Të tre rreth dy orë iu përgjigjën pyetjeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta të prokurorit publik, Stefço Donev, avokates Sanja Aleksiq dhe të akuzuarës Gordana Jankulloska. Në dëshmitë ata e sqaruan zbatimin e furnizimit publik të automjetit të blinduar, i cili ka qenë pjesë e Planit vjetor për punë, dokumentacionit të tenderit si dhe kritereve dhe vlerësimit të ofertave.

Dëshmitari Nenad Nikollovski i cili ka qenë shef i Sektorit për menaxhment dhe furnizime publike në vitin 2012 tha se asnjë procedurë prej 2012 deri më sot nuk ka lejuar çfarëdo ndikimi pa dallim nëse është prej eprorëve, operatorëve ekonomikë dhe personave të tretë dhe nëse një gjë e tillë do të ekzistonte ai nuk do ta pranonte dhe nuk do të mbetej në pozitën e punës. Në deklaratën e tij sqaroi se furnizimi publik është zbatuar tërësisht në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi.

Seanca e sotme filloi me vonesë prej 15 minutash, pasi avokatët Boro Tasevski dhe Sanja Aleksiq morën pjesë në gjykimin i cili veç më kishte filluar për rastin “Dhunë në Qendër” ku janë mbrojtës.

Gjykatësja Kacarska pas 10 minutash prej terminit të caktuar për seancën e sotme i urdhëroi Jankulloskës ta thërrasë njërin prej mbrojtësve të saj. “Nëse për pesë minuta nuk vjen të paktën njëri prej mbrojtësve tuaj, gjykata atyre do t’u caktojë gjobë të lartë në të holla dhe juve do t’u angazhojë avokat dhe seanca e sotme do të vazhdojë”, tha Kacarska.

Me vonesë prej 20 minutash dy avokatët e të akuzuarës erdhën në sallën ku mbahej seanca gjyqësore me ç’rast avokati Boro Tasevski i kërkoi falje këshillit gjykues dhe kërkoi që për shkak të gjykimeve të tjera të lirohet prej seancës së sotme. “Duke e pasur parasysh se nuk lejohet anulimi i seancave të cilat përkojnë, ndërsa unë për shkaqe fizike nuk jam në gjendje të marrë pjesë, me shkrim do ta njoftoj gjykatën dhe me siguri do ta tërheq edhe autorizimin tim”, deklaroi Tasevski.

Për pjesën e pasdites së seancës mbetet të merren në pyetje edhe tre dëshmitarë.

Marketing