Padi penale për vrasje kundër 28 vjeçares B.P. sot deri te Prokuroria Themelore Publike parashtroi Zyra e jashtme për punë kriminalistike Dibër.
Siç kumtoi MPB, padia penale është dorëzuar edhe kundër F.G. (31) nga Gostivari dhe V.K.(61) nga Dibra për ndihmë në vrasjen e Amit Pocestës (54), gruas së tij Nazmije (53) dhe vajzës së tyre Anila (14).
Të gjithë janë arrestuar, ndërsa gjykatësi i procedurës së mëparshme nga Gjykata Themelore u caktoi paraburgim në kohëzgjatje prej 48 orëve.
Portali Info Shqip, duke iu referuar policisë, mëngjesin e sotëm shkruante se kryesi i vrasjes së trefishtë në familjen Pocesta në Dibër është vajza e tyre më e madhe.
Jo zyrtarisht, pasi B.P. e kishte kryer vrasjen e tmerrshme kishte udhëtuar për Itali, pas çka përsëri ishte kthyer në Dibër, pasi familjarët “e kishin njoftuar” për ngjarjen tragjike.
Familja Pocesta janë sulmuar me pistoletë më 26 gusht në orët e hershme të mëngjesit përderisa çifti bashkëshortor ishin duke fjetur në dhomën e tyre të gjumit, ndërsa vajza në dhomën e saj. Ishin gjetur nga një familjar i afërm rreth orës 21.
Çifti bashkëshortor gati tre dekada me vajzat e tyre kishin jetuar dhe punuar në Itali, ndërsa në vendlindje, si çdo vit, vinin gjatë pushimeve verore.
Ata janë varrosur në varrezat myslimane në Dibër të martën e kaluar, ku të pranishëm ishin disa mijëra dibranë.