Debate në Greqi për dokumentin e Uikiliks-it për emrin

Dokumenti i Uikiliks, nga ambasada amerikane në Shkup, me datë 29 korrik 2008 i publikuar në gazetën greke “Proto tema” në të cilin ambasadorja e atëhershme e SHBA-së në Maqedoni, Xhilian Millovanoviq sqaron se cilat pozicione do të ishin të pranueshme për palën e Maqedonisë, është shkaku për mospajtime mes liderit të Dmeokracisë së Re, Kirijakos Micotakis dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Koxias.

Marketing

Maqedonia Veriore për emrin, maqedonase për gjuhën dhe identitetin, sipas dokumentit, ishin pozicionеt e palës së Maqedonisë në korrik të vitit 2008.

Kush çka ka kërkuar dhe pranuar para 10 viteve dhe çka është arritur me Marrëveshjen e Prespës, janë temat kryesore në kumtesat nga Kirjakos Micotakis dhe Nikos Koxias, raporton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Kryetari i Demokracisë së Re e akuzoi Qeverinë aktuale greke se “i ka përmbushur kërkesat shumëvjeçare të Shkupit”, ndërsa shefi i diplomacisë greke komenton se Gruevski shtirej sikur dëshiron zgjidhje.

“Ajo që sot u zbulua nga Uikiliks se Shkupi që prej vitit 2008 kërkonte që vendi të quhet “Maqedonia Veriore”, ndërsa banorët “maqedonas” të cilët flasin gjuhën “maqedonase”, e konfirmon në mënyrë më tragjike, atë që e e theksoj tërë këto muaj. Se zotërinjtë Cipras, Kamenos dhe Koxias dëshironin ta tregojnë, gjoja si sukses të tyre marrëveshjen mjaft të dëmshme për Greqinë, sepse e përmbushën tërë atë që me vite e kërkonte Shkupi, ndërsa e hodhën poshtë të gjitha qeveritë paraprake”, kumton Kirijakos Micotakis dhe edhe njëherë përsërit se Demokracia e Re nuk do ta ratifikojë marrëveshjen.

Kryetarit të partisë më të madhe opozitare greke, në mënyrë ekspresive iu përgjigj ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Koxias.

“Është e njohur se zotëri Gruevski nuk dëshiroi kurrfarë zgjidhje në çështjen e emrit. Që ta gënjejë faktorin ndërkombëtar shtirej sikur domosdoshmërisht pranon kompromis. Askush nuk i besonte. Përveç Micotakis, i cili më vonë besoi. Këtë shfaqje të Gruevskit e shpërblen Demorkacia e Re, me kumtesën e sotme”, thotë Nikos Koxias.

“Proto tema”, e cila ndjek politika antiqeveritare, ndërkaq mjaft shpesh në mënyrë direkte apo indirekte vendoset kundër Marrëveshjes së Prespës, e publikoi dokumentin sekret të Uikiliks-it, në tekstin nën titullin “Tashmë 10 vite shkupjanët dëshironin Maqedoni Veriore, gjuhë dhe nacionalitet” dhe komentin se “Qeveria e Ciprasit ia dha IRJM-së tërë atë që e dëshironin shkupjanët për gjuhën, identitetin dhe emrin e vendit siç zbulohet në dokumentin nga ambasada amerikane në Shkup me datë 29 korrik 2008”.