Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot ka zhvilluar një vizitë pune në fabrikën e specializuar për prodhimin e dyshekëve “Almero” në Gostivar, që përfaqëson një biznes të suksesshëm vendor në fushën e industrisë prodhuese.
Ministri Bekteshi në takimin me menaxhmentin e fabrikës, ka njoftuar ata me Ligjin për mbështetje financiare të Investime, të miratuar kohë më parë dhe me Planin për Rritje Ekonomike që ofron më shumë mundësi për mbështetje financiare të investimeve.
Ministri Bekteshi informoi se ky ligj, përpos që nuk bën dallim mes kompanive vendore dhe atyre të huaja, ndihmon drejtpëdrejt në zgjërimin e kapaciteteve prodhuese të fabrikave të profileve të ndryshme, duke shtuar se biznese të tilla si fabrika Almero, që është fabrika e parë e specializuar për prodhimin e dyshekëve, me orientim eksportues janë me rëndësi të veçantë jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjërë atje edhe ku eksporton prodhimet e tyre.
‘Një nga synimet e tërë koncepttit për mbështetjen e investimeve është që kompanitë vendore të kenë mundësinë për të adoptuar teknologji të reja në proceset e tyre të prodhimit dhe për të ndërtuar kapacitete të reja, për zhvillimin e marrëdhënieve të biznesit me kompanitë e huaja, si dhe të mendojnë për depërtimin e prodhimeve të tyre në tregje sa më të mëdha, dhe shembull për këtë është pikërisht Almero, e cila duke u mbeshtetur ne Ligjin për mbështetje financiare të investimeve, do të rrisë kapacitetet me investim në objekt të ri prej 10.000 m2 dhe dyfishim të numrit të punësuarve’, deklaroi Bekteshi.
Ministria e Ekonomisë, tha Bekteshi, është e përfshirë në mënyrë aktive në realizimin e projekteve dhe programeve nëpërmjet të cilave promovohen aktivitetet ekonomike në vendin tonë, ndërsa segmenti më i rëndësishëm është zbatimi i masave nga Plani për Rritje Ekonomike.
‘Këtë vit u miratua Ligji për mbështetje financiare të investimeve dhe kompanitë veç më janë të informuara, dhe këtë vit presim që sa më shumë kompani të marrin guximin dhe të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese, duke marrë parasysh që mbështetja e finaciare nga ana e shtetit, edhe pse nuk është pjesë e programit të qeverisë, është pjesë e këtij ligji, i cili garanton se kompania, mjetet e investuara gjatë vitit 2018, menjëherë pas dorëzimit të llogarisë përfundimtare, në vitin 2019 do ti kthen një pjesë të parave të investuara.
Menaxher i Fabrikës ‘Almero’ Adem Agai, falënderoi ministrin Bekteshi për vizitën dhe për mbështetjen që qeveria dhe Ministria e Ekonomisë u ofron kompanive.
‘Ne jemi kompani e themeluar në vitin 2003, në fillim kemi pasur tetë punëtorë, tash kemi arritur të kemi 43 punëtorë, vazhdojmë të zhvillohemi më tej, dhe plani ynë është që kapacitetin prej 300 dyshekëve në ditë ta rrisim në 500, ndërsa numrin e punëtorëve në 80-të’, deklaroi menaxheri i Fabrikës ‘Almero’ Adem Agai