“Shqiptarët votojnë për të ardhmen e tyre në Maqedoni, që Maqedonia të integrohet në BE dhe në NATO”, shprehet lideri i BDI-së Ali Ahmeti në emisinin e sotëm “OPINION”, në Televizionin KLAN.
Duke iu përgjigjur pyetjes së drejtpërdrejtë të gazetarit Blendi Fevziu se çfarë u intereson shqiptarëve emri i Maqedonisë, Ahmeti tha se është koha më 30 shtator të vendoset me votë në referendum e ardhmja e këtij shteti.
Sipas Ahmetit të gjithë shqiptarët do të votojnë “pro” referendumit, ndërsa pret kështu të ndodhë edhe me palën maqedonase, pasi siç u shpreh, edhe ata janë lodhur nga çështja e konstetit me emrin.
“Referendum i suksesshëm do të jetë arritja e censusit dhe numri i nevojëshm “pro”, tha Ahmeti.
I pyetur pse duhet ekzistuar Maqedonia me kaq probleme ndëretnike, Ahmeti tha se problemet i sjellin disa politikanë të papërgjegjshëm, e jo qytetarët e rëndomtë.
“Marrëveshja e Ohrit duhet të trjatohet në historinë e Maqedonisë, ata që luftuan duhet të trajtohen si heronj, siç trajtohen maqedonasit”, tha Ahmeti më tej duke shtuar se kjo do të rregullohet me historinë moderne të Maqedonisë përmes teksteve shkollore.
Sipas Ahmetit “nuk mund të ketë dy histori, një do jetë, aty do të jetë edhe Marrëveshja e Ohrit”.
Ahmeti duke folur mbi gjuhën, tha se shqipja është zyrtare në Maqedoni dhe kjo do të konkretizohet pas referendumit.