Zaev – Bushati: Inkurajuese mbështetja e liderëve të rajonit për përmbylljen e procesit euroatlantik

Në vigjilje të vizitës së nesërme zyrtare në Republikën e Maqedonisë, kryeministri Zoran Zaev sot e priti ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Marketing

Në takimin, në të cilin mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, u bisedua për marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve si edhe për perspektivat e bashkëpunimit të mëtejmë në sfera me interes të përbashkët, duke e përfshirë ekonominë, këmbimin tregtar dhe interkonektivitetin, kumtoi pres shërbimi qeveritar.

Kryeministri Zaev e ka informuar ministrin Bushati edhe për aktivitetet aktuale lidhur me zbatimin e referendumit për marrëveshjen e Prespës, si hap i rëndësishëm për vendin tonë dhe për integrimet tona euro-atlantike.

Ai, siç thuhet në kumtesë, e theksoi mbështetjen që për vendin tonë në këtë drejtim vjen prej Qeverisë aktuale të Shqipërisë e veçanërisht nga kryeministri Edi Rama.

“Për ne nuk ka alternativë kur bëhet fjalë për plotësimin e qëllimeve tona strategjike, anëtarësimin në BE dhe në NATO dhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë pjesëmarrja dhe zëri në referendum është zë për të ardhmen e vendit tonë”, tha Zaev në takimin me Bushatin. Zaev shtoi se inkurajon edhe mbështetja e drejtpërdrejtë e liderëve evropianë, si edhe e liderëve të NATO-s dhe BE-së, të cilët në këtë periudhë e vizitojnë Republikën e Maqedonisë, njëjtë sikurse edhe e liderëve politik të rajonit.

Dy bashkëbiseduesit kanë këmbyer edhe mendime rreth gjendjeve në rajon dhe perspektivat për integrimin e tij në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Marketing