Presidenti i Komisionit të BE, Jean-Claude kundër shteteve anëtare, që kanë venë në rrezik shtetin e së drejtës. Nacionalizmi mendjengushtë është gënjeshtër dhe helm, tha Juncker në fjalimin e fundit si president i KE.
Në fjalimin e tij mbi gjendjen në BE, fjalim i cili parashikohet të jetë i fundit për të, Jean-Claude Juncker lëshoi tone të mendueshme për Parlamentin në Strasburg. Presidenti i Komisionit të BE tha se ai nuk e uron vetveten. Ai do të vazhdojë të punojë çdo ditë megjithë modestinë.
Ai nuk është mësuar me një Bashkim Evropian ku populistët dhe nacionalistët marrin gjithnjë e më shumë ndikim. “Nacionalizmit të sëmurë i duhet thënë jo, patriotizmit i duhet thënë po,” thotë ai: “Kush e do vendin e vet, është në gjendje të dojë edhe Evropën”. Vetëm nëse sovraniteti i shteteve nacionale vazhdon të lidhet me BE, Evropa do jetë në gjendje të flasë me një zë në botë.
BE, thotë Juncker, ka si detyrë të mbrojë qytetarët e vet- edhe për shkak të politikës izoluese të qeverisë amerikane. “Bota ka nevojë për një Evropë të fortë dhe të bashkuar, edhe nëse të tjerët janë të gatshëm të bëjnë luftëra tregtare”, tha Juncker, i cili u mundua muajin korrik në një bisedë me presidentn amerikan Trump që të pengonte vendosjen e tarifave ndëshkuese për mallrat evropiane. BE duhet të bëhet aktor sovran në skenën botërore. “Ne nuk duam të jemi vetëm arkëtar global, duam të bëhemi edhe aktor global”.
Kapërcimi i diferencave
Për të arritur këtë qëllim duhet t’ i jepet fund “teatrit të trishtueshëm të ndarjes së Evropës në Lindje dhe Perëndim dhe Veri e Jug,” tha Juncker më tej, duke patur kryesisht parasysh Poloninë dhe Hungarinë. Kundër qeverisë nacionalist- populiste të Polonisë është hapur një proces sipas nenit 7 të Paktit të Lisabonës për BE-në. Një proces kundër Hungarisë pritet të hapet. “Neni 7 duhet të gjejë zbatim aty ku shteti i së drejtës ndodhet në rrezik”, tha Juncker dhe kërkoi nga Këshilli i Ministrave përkatës, që të kryejnë procesin dhe të mos e lënë të vetëm Komisarin, si deri tani.
Partneritet të ri me Afrikën
Me vështrim nga sfidat e së ardhmes, Jean-Claude Juncker përsëriti propozimin e tij për të bërë partneritete europiano- afrikane me Afrikën. “Afrikës nuk i duhen lëmosha, por i duhen partneritete të ekuilibruara,” tha Juncker. Bazuar në aleancat e reja vitet e ardhshme do të hapen në Afrikë dhjetë milionë vende pune dhe me një fond për Afrikën, do të investohen 44 miliardë euro.
Presidenti i Komisionit të BE theksoi njëkohësisht para pleniumit të mbushur përgjysmë, se BE duhet të mbrojë më mirë kufijtë e vet dhe duhet të dëbojë me shpejt migrantët ilegalë. Për këtë duhet plotësuar me 10 mijë vende të tjera pune Agjencia për mbrojtjen e kufirit, Frontex. Çfarë duhet të bëjë tamam kjo trupë kufitare nuk është vendosur ende, sepse vendet anëtare të BE nuk janë të një mendjeje. Për çështjet qëndrore të politikës së migracionit, për shembull ndarjen e migrantëve në shtetet anëtare, Juncker nuk bëri propozime të reja, por i kërkoi vendeve anëtare që të bien më në fund dakord. Propozimet kryesore për ligjet ndodhen në tavolinën e Komisionit të BE-së.
Shumicat duhet të marrin më shumë vendime
Juncker, sugjeroi që në këtë fushë dhe në atë të politikës së jashtme të kalohet nga unaninimiteti i kërkuar në vendime të marra nga shumica, gjë që ka pasur kundërshtime të mëdha nga shtetet e qeverisura me populizëm si Polonia, Hungaria, Austria dhe Italia. Polonia dhe Hungaria vazhdojnë edhe sot të mos pranojnë vendimet përkatëse të Gjykatës Evropiane. Jean-Claude Juncker kritikoi ashpër këtë sjellje në fjalimin e tij. “Pranimi i vendimeve të Gjykatës Evropiane nuk është opcion, është detyrim.”
Shefi kristiandemokrat i Komisionit të BE-së, kërkoi edhe një herë që shtetet anëtare të kryesuara nga Austria që ka presidencën e radhës dhe ka qendruar deri tani duarlidhur, të bien dakord për reformimin e ligjeve të azilit. “Ne nuk mund të grindemi sa herë vjen një anije e re me njerëz në bord dhe të kërkojmë zgjidhje ad-hoc.” Europës i duhen zgjidhje të vazhdueshme, tha Juncker. Se si do të sillet ai me qeverinë e padisiplinuar të Romës, e cila refuzon ndërkohë të pranojë anijet, Presidenti nuk e bëri të ditur.
Ballkani perëndimor pret përgjigje
Edhe fqinjët direktë të BE-së, Ballkani perëndimor pret përgjigje për pyetjen se si do të organizohet zgjerimi me gjashtë shtete. “Ne duhet të përcaktojmë përfundimisht, se si duhet të pozicionohemi për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përndryshe ai do merret nga forca të tjera, që do t’i formojnë fqinjët tanë në favor të tyre”, tha Juncker. Ai kishte kryesisht parasysh Rusinë dhe Kinën, që përpiqen të rrisin ndikimin e tyre në Ballkan.
Forcim i euros
Në përmbledhjen për detyrat që duhen kryer muajt e ardhshëm, Presidenti i Komisionit përmendte gjithnjë një motiv, për të cilin flet me dëshirë edhe presidenti francez, Emmanuel Macron: Sovraniteti i një Europe, që të mbron. Një vegël e kësaj Europe është euroja, mendon Juncker. Prandaj ai propozoi forcimin e monedhës së përbashkët dhe pozicionimin e saj si monedhë konkurrente me dollarin amerikan. Nuk mund të mos shihet që 80 përqind e importeve evropiane të energjisë paguhen ende me dollarë dhe jo me euro. “Është qesharake që aeroplanët europianë paguhen me dollarë dhe jo me euro”.
Dashuria e Junckerit mbetet
Jean-Claude Juncker nuk do të kandidojë më për postin e Presidentit të Komisionit të BE. Prandaj ai mund të bëjë bilancin e punës së tij. Ekonomikisht BE i ka punët mirë, tha Juncker, kriza financiare u kapërcye, zhvillimi dhe investimet u inkurajuan. Situata e brendshme në BE krijon shqetësime të mëdha. “Nacionalizmi mendjengushtë është gënjeshtër dhe helm”, tha Juncker. Megjithatë ai mbetet tek pohimet e bëra në raportet e mëparshme për gjendjen në BE: “Europa është dashuria e jetës sime dhe vazhdon të jetë ende”. Shumë deputetë u çuan në këmbë dhe duartrokitën Junkerin, por pjesa më e madhe e populistëve nga ana e djathtë qëndruan ulur dhe nuk luajtën asnjë gisht.