Presidenti Gjorge Ivanov në takimin e sotëm me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federika Mogerini e përsëriti qëndrimin e tij se i mbështet integrimet euroatlantike të Maqedonisë, por se “BE dhe NATO nuk guxojnë të jenë alibi për marrëveshje të keqe me të cilën hapen më shumë çështje sesa që mbyllen”.
Ivanov, siç kumtoi Kabineti i tij, ka porositur se “qëllimet strategjike nuk guxojnë të keqpërdoren në llogari të interesave kombëtare dhe interesave të popullit maqedonas”.
“Qëndrimi im është i pandryshuar. Qëllim strategjik i Republikës së Maqedonisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Por, BE dhe NATO nuk guxojnë të jenë alibi për marrëveshje të keqe me të cilën hapen më shumë çështje sesa që mbyllen”, ka thënë Ivanov në takimin me Mogerinin.