Bekteshi: Përmes Furnizuesit Universal u mundësojmë bizneseve dhe amvisërive energji më të lirë elektrike

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe zëvendëskryeministri për çështje Ekonomike Koço Angjushev në një konferencë shtypi në Qeveri sot njoftuan se në sistemin elektronik për prokurime publike është publikuar shpallja publike dhe dokumentacioni i nevojshëm për përzgjedhjen e një Furnizuesi universal të energjisë elektrike, në të cilin deri më 3 dhjetor 2018 do të mund të aplikojnë të gjitha kompanitë e interesuara.

Marketing

Ministri Bekteshi tha se me Ligjin e ri për energjetikë për herë të parë u jepet mundësi kompanive mikro, të vogla dhe të mesme, që konsiderohen si kliente të vogla tarifore, të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike nëse dëshirojnë të reduktojnë harxhimet e tyre fikse.

“Me Ligjin e ri për Energjetikë do të kemi konkurrencë më të madhe, në fakt tani mund të presim që kompanitë të cilat merren me tregtinë e energjisë elektrike të luftojnë për klientë të rinj, që do të ishte në interes të konsumatorit. Aktualisht, 40% e prodhimit të përgjithshëm të centraleve shtetërore është e mjaftueshme për të furnizuar konsumatorët me tarifë më të vogël me energji elektrike. Në fakt, përmes punës efikase të ELEM-it ku shteti përcakton çmimin për prodhimin e energjisë elektrike deri në vitin 2025 ne u garantojmë të gjithëve që do të shfrytëzojnë shërbimet e furnizuesit universale se çmimi nuk do të rritet në mënyrë rapide ” ka thënë Bekteshi.

Zëvendëskryeministri Angjushev tha se në këtë njoftim publik kanë të drejtë të aplikojnë të gjitha kompanitë e licencuara për shitjen e energjisë elektrike 28 aktualisht, të cilët mund të bashkëpunojnë edhe me kompanitë e huaja për të aplikuar për thirrjen.

“Kriteret shtesë që duhet të përmbushin kompanitë janë të tregojnë kapital qarkullues prej 20 milionë eurosh, të kenë një sistem faturimi dhe pagesash, dhe një nga kërkesat kryesore për përzgjedhjen është edhe marzhi që kompanitë do ta paraqesin në ofertë. Ai që tregon diferencën më të ulët dhe plotëson kriteret e tjera bazë do të zgjidhet si furnizues universal i energjisë elektrike”, ka thënë Angjushev.

Përzgjedhja e Furnizuesit universal, që është pjesë e Ligjit të ri për Energjetikë që u miratua muaj më parë me propozim nga Ministria e Ekonomisë, do të sigurojë energjinë elektrike në kushtet e tregut duke përzgjedhur ofertën më të favorshme në pajtim me rregullat për furnizimin me energji elektrike.