Arsimi dual profesional tani edhe në Maqedoni

Sipas shembullit të modelit gjerman, nga shtatori i këtij viti dhe në Maqedoni nisi të zbatohet arsimi dual profesional edhe atë në fazën e pilotimit fillimisht në Shkollën e Mesme të Ohrit “Shën Naum Ohridski” dhe në Shkollën e Mesme të Kavadarcit “Kiro Spanxhov- Bërko”.

Marketing

Ky model shkollimi nënkupton bashkëpunim më të madh midis shkollave dhe sektorit të biznesit, respektivisht më shumë praktikë për nxënësit, të cilët do të jenë drejtpërdrejt në vendin e punës nën kujdestarinë e punonjësve të kompanive me qëllim që të fitojnë kompetencat dhe aftësitë e nevojshme të cilat do t’u mundësojnë punësimin e menjëhershëm pas formalizimit të procesit arsimor.

Me qëllim të promovimit të këtij bashkëpunimi mes shkollave profesionale dhe kompanive industriale u organizua
“Macedonia Manufacturing Expo 2018” nga ana e Delegacionit të Odës Ekonomike Gjermane në Maqedoni dhe Asociacionit të Industrisë elektro-mekanike, ku mori pjesë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, dr. Arbër Ademi.

“Ky projekt do t’u ndihmojë kompanive, që punojnë në industri, të sigurojnë kuadro profesionalë, ashtu siç vërtetë u nevojitet, me faktin që nxënësit që nga arsimi i mesëm do të përgatiten për punë dhe do të inkuadrohen në proceset organizative dhe prodhuese në kompani konkrete, që paraqet shembull për partneritet publiko-privat”, deklaroi ministri Ademi.

Ai, ka bërë të ditur gjithashtu se në fazën e ardhshme është planifikuar që arsimi profesional dual të zgjerohete dhe në shkola të tjera, ndërsa ka falënderuar të gjithë përkrahësit dhe partnerët nga vendi dhe nga jashtë për përpjekjet që bëjnë për avancimin e cilësisë së arsimit në vendin tonë.

Organizimi i “Macedonia Manufacturing Expo 2018” është mbeshtetur edhe nga USAID, Ambasada e Holandës dhe Preda plus M.