Filmi “Martesa” është fitues i dy çmimeve ndërkombëtare dhe së fundmi është propozuar për kategorinë e filmit më të mirë të huaj ne garën e çmimeve Oscar.
Filmi ‘Martesa’ me skenar dhe regji nga Blerta Zeqiri, fitues i dy çmimeve ne Festivalin e Filmit në Talin, është propozimi zyrtar i Kosovës per kategorinë ‘Filmi me i mire i huaj’ në garën e madhe të çmimeve Oscar.
“Jam shumë e lumtur që Kosova më ka propozuar e që shteti ynë po prezantohet me filmin “Martesa”. Nuk kam shumë shpresa, sepse është një garë shume e madhe, konkurrojnë shume filma nga e gjithë bota. Jam shumë e lumtur, por në të njëjtën kohë nuk është se kam shumë shpresa se do t’ia dalim, sepse është shumë-shumë e vështirë”, u shpreh Blerta Zeqiri, regjisore.
‘Martesa’ flet për një trekëndësh dashurie para dhe gjatë një martese, një lidhje brenda së njëjtës gjini, një temë që për realitetin shqiptar krijon jo pak zhurmë.
“Nuk kam dashur asnjëherë që kjo temë të krijojë zhurmë, kam dashur që njerëzit të shohin filmin dhe personazhet. Kur është shfaqur filmi nëpër kinema njerëzit kanë shkuar dhe e kanë parë dhe ka pas mjaft shikues, është përfolur shumë dhe ka qenë një temë shumë kontraverse për neve, prapëseprapë njerëzit nuk e kanë marrë këtë vetëm si temë, por kanë fol kryesisht për personazhet.
Ka hapur debate të tjera, kështu që kjo me gëzon jashtë mase. Tre aktorët kryesore që kemi në film mendoj se ata kanë mundësi me bë karriere internacionale dhe kisha pas shumë dëshirë në qoftë se aktrimin e tyre kanë me e pa njerëz të rëndësishëm. Janë shumë të mirë dhe kishin mundur me ia dalë edhe në karriera ndërkombëtare. Shpresoj që të ndodhe diçka e tillë”, shton Blerta Zeqiri.