Jam i bindur se e gjithë Maqedonia do të sjellë vendim historik. Kjo është mundësi që nuk duhet të lëshohet. Populli ynë e di se sa është me rëndësi historike që këtë mundësi të mos e lëshojmë, porositi sonte kryeministri Zoran Zaev në tribunën në Kratovë të organizuar nga koalicioni “Për Maqedoni Evropiane” për referendumin e ardhshëm.
Qytetarët e Kratovës i porositi se përmes tyre do të shkojë zëri deri te ata bashkëqytetarë të cilët bëjnë kalkulime se nëse nuk dalin do ta frenojnë të ardhmen e Maqedonisë. “Kjo është Maqedonia ime, e juaja, e atyre. Nuk kemi më shumë shkaqe, argumente, plan B e as plan C në të cilin mund të shpresojmë”, tha në këtë kontekst Zaev.
Përkujtoi se 27 vite Maqedonia është me angazhime të përhershme për NATO dhe BE.
“Këtë e dinë të gjithë ata të cilët dëshirojnë të kenë paqe, stabilitet, siguri që të jenë anëtarë në NATO. Ja edhe pak jemi afër anëtarësimit të plotë në NATO dhe përfundimisht t’i hapim kapitujt në bisedimet me Bashkimin Evropian”, tha Zaev.
Shtoi se “të mësuar nga e kaluara, morëm vendime të mëdha me çka e bashkuam Maqedoninë në planin e brendshëm, e së pari në atë etnik”.
“Maqedonia nga të gjithë pesë fqinjët e saj të cilët i kishte armiq, i bëmë miq dhe me miq do t’ia dalim. Jo vetëm kjo, përmes kësaj miqësie i mënjanuam të gjitha pengesat tona për integrim drejtë NATO-s dhe BE-së”, theksoi kryeministri.
Përkujtoi se që nga viti 2005 jemi vend kandidat për anëtarësim në BE dhe se më në fund pas 13 viteve Maqedonia fitoi datën për fillim të bisedimeve.
“Gjithsej 27 vite autoritetet ose nuk kishin mundësi ose nuk dëshironin të ndërmerrnin hap për shkak të kalkulimeve politike. Ne morëm vendim se Maqedonia nuk guxon të humbë më shumë kohë, duhet të sjellë vendime, e dinim se deri ku guxojmë, e deri ku nuk guxojmë të shkojmë”, theksoi Zaev.
Theksoi se marrëveshja me Greqinë është model i shkëlqyer që mund të zbatohet në nivel botëror.
“Kompromiset e lëvizin botën. Kompromis do të thotë se të dy palët bëjnë lëshime. Pas luftërave janë ulur në tryezë dhe të dy palët kanë bërë lëshime. jeta është kompromis, ai është gjithkund rreth neve”, tha Zaev.
Me marrëveshjen, tha ai, identitetin dhe gjuhën maqedonase jo vetëm që i kemi mbrojtur, por tani kemi identitet të njohur maqedonas edhe nga Greqia edhe nga Bullgaria.
“Sot më në fund jemi vend i njohur nga të gjithë nga tërë bota, ku jeton populli maqedonas i njohur nga tërë bota, i cili flet maqedonisht gjuhë maqedonase të njohur nga të gjithë, nga tërë bota”, tha Zaev.
Ai potencoi se Maqedonisë i duhet rritje serioze ekonomike, kuanti kërcime, hapa të mëdha që së pari të ngrite standardi i qytetarëve, ndërsa me hyrjen në BE dhe NATO kjo do të mundësohet së pari përmes rritjes së investimeve.
Maqedonisë i duhen vendime të guximshme dhe tërë bota i njohu ato vendime. Përqendrimi i botës është te Maqedonia – vijnë miqtë e Maqedonisë, për herë të parë një kancelar gjerman e ka vizituar vendin, dje ishte ministri amerikan i Mbrojtjes, më pret takim në Uashington me nënpresidentin e SHBA-së, Majk Pens”, nënvizoi Zaev.