Pasuritë kulturore në të gjithë Shqipërinë vëzhgohen dhe mirëmbahen në mënyrë sistematike nga specialistët e Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.
Ditën e sotme specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës ishin të pranishëm në inspektimin e punimeve konservuese dhe restauruese në katedralen e Shën Nikollit -Vendvarrimi i Skënderbeut, Lezhë.
Projekti i hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës financohet nga Ministria e Kulturës, si pjesë e programit “Rrugët e Besimit”, në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”.
Në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë ndërhyrja e parashikuar nga IMK dhe Ministria e Kulturës qëndron në punimet restauruese në këtë monument si dhe në muret e qytetit antik, në rikonstruksionin e mbulesës, konsolidimin dhe restaurimin e pikturës murale dhe mozaikut.
Vendvarrimi i Skënderbeut përbën njërin prej monumenteve më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Përveç mureve të kishës, në këtë objekt gjendet edhe absida, ku ndodhet i vendosur busti i Skënderbeut, afresku i Shën Nikollit, dritaret dhe tre harqet mbi derën e kishës. Në mure janë të varura 25 mburoja prej bronzi, të cilat tregojnë 25 betejat kryesore të Skënderbeut. Mbi pllakën e mermerit janë vendosur kopje të shpatës dhe përkrenares prej bronzi të Skënderbeut.