Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në mëngjes është hapur konferencë rajonale dyditëshe për dialog në nivel të lartë për pjesëmarrje politike të të rinjve dhe politikave rinore me deputetët nga Ballkani Perëndimor.
Marrin pjesë deputetë nga Evropa dhe nga parlamentet e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të sektorit rinor nga vendet e rajonit. Konferencën, e quajtur “Tejkalim i zbrazëtirës”, e hapi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, i cili theksoi se qëllimi është që të këmbehen përvojat pozitive për atë se si të rinjtë të përfshihen në punën e parlamenteve, më lehtë t’i artikulojnë interesat e tyre dhe si së bashku të krijojnë dhe realizojnë politika rinore më cilësore.
“E njohur na është thënia: ‘Bota u mbetet të rinjve’, megjithatë parashtrohet pyetja se sa jemi të gatshëm ne më të vjetrit të krijojmë një dialog të vërtetë me të rinjtë, sa i kuptojmë ne interesat dhe nevojat e tyre. Në sociologji kjo definohet si hendeku midis gjeneratave, i cili gjithmonë ka ekzistuar dhe është i pranishëm pothuajse në të gjitha shoqëritë. Për atë, sa është i thellë ai hendek midis gjeneratave në një shtet dhe si të tejkalohet, varet nga zhvillimi demokratik dhe nga gatishmëria e elitave politike për dialog, por edhe nga respektimi i vërtetë i të drejtave dhe lirive të njeriut”, tha Xhaferi.
Theksoi se punësimi dhe arsimimi janë çështje kyçe, por të rëndësishme për të rinjtë nga rajoni janë edhe mobiliteti dhe bashkëpunimi i tyre që të tejkalohen disa paragjykime historike dhe stereotipe, të cilat, siç tha, ndoshta janë më të shprehura te gjeneratat më të vjetra.
Për këto sfida ai pret ide konstruktive dhe zgjidhje të cilat do të dalin nga konferenca. Kumtoi se duke i ndjekur përvojat e PE-së edhe nga parlamentet e disa vendeve perëndimore evropiane, në Kuvendin e RM-së para një viti është formuar Klubi për çështje rinore dhe politika – trup joformal në të cilin bëjnë pjesë deputetët më të rinj nga të gjitha partitë parlamentare. Tha se klubi është lobi-grup i fuqishëm për artikulim të interesave të të rinjve dhe tashmë ka rezultate – është formuar grup i punës, i cili në mënyrë të intensifikuar punon në përgatitjen e ligjit për të rinjtë, i cili në procedurë kuvendore pritet të hyjë deri në fund të vitit.
Me këtë rast, kryetari i Kuvendit e përmendi referendumin e ardhshëm, duke potencuar se eurointegrimi është i rëndësishëm për të ardhmen e të rinjve. Është i bindur, tha, se të rinjtë, pa marrë parasysh përkatësinë, në mënyrë masive do të prononcohen për përkrahje, dhe, siç tha, për përcaktimin strategjik për integrim të tërësishëm në NATO dhe BE.
Në konferencë sot do të ketë disa punëtori me panel-diskutime: “Pjesëmarrja e të rinjve në politikë”: Punësimi te të rinjtë, rritje dhe ikje e trurit”: “Pajtim dhe trashëgimi nga e kaluara”: “Lajme të rrejshme dhe dezinformata”. Konferenca do të vazhdojë nesër dhe do të përfundojë me përmbylljet “Çka më tutje?”.