Negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë mbetur pezull, pasi pala greke për momentin është e përqëndruar në marrëveshjen e Prespës për emrin e Maqedonisë.
Gazetari i Ora News në Greqi Robert Goro, edhe pse me shumë rezerva shprehet se deri në mars të vitit të ardhshëm mund të mos ketë zhvillime sa i përket negociatave me Shqipërinë.
Në një lidhje me skype, gazetari Goro referuar burimeve nga qeveria greke tha se çështja e marrëveshjes me Maqedoninë do të rivijë në skenë në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Robert Goro: Pra mund të bëjmë një parashikim të riskuar. Ndoshta deri në mars të vitit të ardhshëm mund të mos ketë zhvillime edhe përsa i përket konkludimeve të negociatave me Shqipërinë.
Nisur edhe nga situata politike në Greqi kam përshtypjen se do të mbyllet njëherë çështja e marrëveshjes së Prespës për emrin e Maqedonisë dhe më pas do të dalë në skenë çështja e negociatave dhe mbyllja e marrëveshjes me Shqipërinë. Megjithatë të gjitha këto i them me një rezervë të madhe sepse nuk i dihet se çfarë mund të kenë ndërmend dy ministrat dhe shefat e tyre.
Goro tha gjithashtu se në Greqi po flitet se ministri Jashtëm Nikos Kotzias do të takohet me homologun shqiptar Ditmir Bushati në Nju Jork.