Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani duke e komentuar deklaratën e presidentit Gjorge Ivanov se nuk do të dalë në referendum më 30 shtator, tha se shefi i shtetit përfaqëson “gjithçka nga e cila Maqedonia dëshiron të dalë më 30 shtator”.
“Mbase në një farë mënyre kjo është diçka pozitive sepse Ivanovi përfaqëson atë që duam më 30 shtator ta ndërpresim. Gjithçka nga e cila Maqedonia dëshiron të dalë më 30 shtator e përfaqëson zoti Ivanov me veprimtarinë e tij në periudhën vijuese.
Është pozitive që e dimë se çfarë presin qytetarët dhe qartësisht e bëjmë kontrastin midis asaj që duhet të ndodhë. Vendimi është midis diçkaje që e përfaqëson Ivanovi dhe diçkaje që e përfaqëson e gjithë bota e civilizuar perëndimore e cila erdhi këtë muaj në Shkup, por që e përfaqësojnë edhe shumica e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë”, tha Osmani duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas pres konferencës në Qeveri dhe theksoi se ky është qëndrimi i tij personal.