Seanca të reja gjyqësore për lëndët “Titanik”, “Tank” dhe “Total”

Në Gjykatën Penale sot duhet të vazhdojnë gjykimet për tre lëndët e PSP-së “Titanik”, “Tank” dhe “Total”.

Marketing

Seanca e fundit gjyqësore për lëndën “Titanik” më 12 shtator ishte anuluar për shkak të sëmundjes së Martin Protugjerit, i cili është njëri nga të akuzuarit në këtë lëndë.

Në lëndën “Titanik”, të akuzuar janë ish kryeministri Nikolla Gruevski, Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, Biljana Brishkoska, si dhe Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leko Ristovski, Kiril Todorovski, Katerina Velovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashajkovska.

Ata akuzohen për shoqërim kriminal, shkelje të së drejtës së votimit, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës zgjedhore në vitin 2012.

Sot duhet të vazhdojë edhe gjykimi i ish ministres së Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska në procedurën e ndarë për rastin “Tank” të PSP-së.

Në seancat paraprake gjyqësore janë dëgjuar dëshmitarët, të cilët në ndonjë mënyrë ishin të përfshirë në furnizimin publik të automjetit të blinduar “mercedes gard” në vlerë prej 600 mijë euro në vitin 2012.

Dëshmitarët e dëgjuar në seancat gjyqësore të deritanishme në procedurën e ndarë në rastin “Tank”, janë marrë në pyetje edhe për rastin i cili tashmë përfundoi me vendim të prokurorisë nga dy vite burg për ish kryeministrin Nikolla Gruevski, si nxitës për kryerjen e veprës dhe gjashtë vjet e gjashtë muaj burg për ish ndihmës ministrin e MPB-së Gjoko Popovski.

Në seancën e sotme gjyqësore për lëndën “Total”, megjithatë, duhet të dëgjohen audio bisedat e incizuara nga viti 2011, që PSP i prezanton si dëshmi në procedurë. Deri tani në sallën gjyqësore janë lëshuar 16 nga gjithsej 39 “bombat”.

Në lëndën “Total” i akuzuar është gazetari Dragan Pavloviq-Latas për fshehje të tatimit në vlerë prej 121.414 euro përmes personave juridik “Total” marketing” SHPKNJP “Total” qendra për media dhe “Mediamaks” dhe 63.032 euro si person fizik.