Me ardhjen e vjeshtës, në Europë është koha që të vilen frytet e disa muajve punë diplomatike në të gjithë Ballkanin. Më 30 shtator, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë do të mbajë një referendum që mund të sjellë ndryshimin e emrit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Nuk është thjesht ndryshim teksti. Nëse ndryshimi votohet në referendum, do të mbyllen 27 vite përplasjesh midis qeverive greke dhe maqedonase. Greqia e kundërshton me forcë përdorimin e termit “Maqedoni” nga fqinji i saj, për shkak të një krahine të Greqisë që mban të njëjtin emër. Përveç kësaj, mbretëria e lashtë e Maqedonisë ka domethënie të madhe për kulturën dhe historinë e Greqisë së sotme.
Nëse shumica e popullsisë maqedonase voton në favor të ndryshimit të emrit, gjasat janë që edhe parlamenti t’i kalojë. Pas kësaj, fjala e fundit do t’i shkonte parlamentit grek, që gjithashtu duhet të votojë për ndryshimin.
Për shkak të këtij debati për emrin, Greqia ka bllokuar përparimet në BE dhe në NATO për Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë (një emër i përkohshëm i përdorur që nga viti 1993). Por, tre muaj më parë, qeveritë greke dhe maqedonase më në fund gjetën një zgjidhje. Ajo për të cilën ranë dakord shprehet shumë qartë në pyetjen të këtij referendumi: “A mbështesni anëtarësimin në BE dhe NATO duke pranuar marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”
Federika Mogerini, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, si dhe Metju Nimetz, i dërguar personalisht nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-s, kanë pasur role kyçe për realizimin e negociatave. Nimetz, i cili ka punuar me këtë çështje që në vitin 1994, ka paralajmëruar që ky lloj mirëkuptimi diplomatik është vështirë të përsëritet.
Në një kohë kur rritja e nacionalizmit po shihet gjithandej, Marrëveshja e Prespës (e emërtuar sipas liqenit që ndahet nga Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia) duket si lehtësim i madh. Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, dhe homologu i tij grek, Aleksis Cipras, kanë shfaqur guxim dhe përgjegjësi të lartë për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Të dyve u është dashur të konsumojnë kapitale të mëdha politike, sidomos kundër forcave nacionaliste në vendet përkatëse dhe mocioneve të mosbesimit të ngritura nga opozitat.
Marrëveshja e Prespës është një shembull që duhet ndjekur edhe për mosmarrëveshje në vende të tjera, sepse mishëron një qasje gjithëpërfshirëse, të bazuar në zgjidhjen e konflikteve dhe në premtimin se të dy palët do të kenë vetëm përfitime në planin afatgjatë. Për shembull, një nga nenet e marrëveshjes thotë: “Në një epokë revolucioni të ri industrial, thellimi i bashkëpunimit midis shteteve dhe shoqërive është më i nevojshëm se kurrë. Sidomos për sa i përket veprimtarive shoqërore, teknologjike dhe kulturore.”
Një deklaratë e tillë, që vjen pikërisht nga dy palë që grinden prej vitesh, është frymëzim për të gjithë Ballkanin, një rajon që vazhdon të jetë i pleksur në një rrjetë etnish dhe identitetesh kombëtare. Ballkani (dhe jo vetëm Ballkani) ka nevojë për një politikë të re, që të synojë përparësitë e vërteta të popullit, të cilat garantohen nga Marrëveshja e Prespës.
Në fakt, në rajon mund të jetë duke u shkrirë një tjetër mosmarrëveshje që qëndron e ngrirë prej vitesh, aq sa për të lëvizur përpara drejt një zgjidhjeje. Në vitin 2011, BE nisi një dialog midis Serbisë dhe Kosovës dhe ka sjellë përparime domethënëse për sa i përket lirisë së lëvizjes, tregtisë, mundësive ekonomike, sigurisë, drejtësisë, komunikimit e shumë çështjeve të tjera.
Pavarësisht normalizimit gradual të marrëdhënieve dypalëshe, mosmarrëveshja kryesore midis dy vendeve mbetet e pazgjidhur. Të dyja palët e kanë shumë të qartë se ruajtja e status-kuosë ka kosto të lartë, pasi pengon rrugën e integrimit në BE dhe ngadalëson zhvillimin ekonomik në të dy vendet.
Duke bashkëpunuar me Mogerinin, të dy presidentët, Vuçiç dhe Thaçi, muajt e fundit kanë përparuar me negociatat dhe i janë afruar arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese nga ana ligjore. Sigurisht, BE nuk ka qëllim të diktojë kushtet e zgjidhjes, ndaj është e qartë që politikat vendase do të kenë rol kyç në zgjidhjen që mund të dalë nga ky zhvillim.
Në këtë pjesë të bisedimeve është mëse e rëndësishme që të mbizotërojë pjekuria dhe vetëpërmbajtja. Trashëgimia që do të lënë pas Vuçiç dhe Thaçi varet shumë nga dëshira e tyre për të hartuar propozime realiste që përputhen me vlerat themelore të BE-së. Të dy udhëheqësit kanë mundësinë të shmangin kërkesat maksimaliste dhe të imitojnë zhdërvjelltësinë e qeverive greke e maqedonase.
Situata në Bosnje Hercegovinë është më pak premtuese, me zgjedhjet qendrore që do të mbahen më 7 tetor, edhe pse në vend nuk ka një kod zgjedhor që të jetë i dobishëm. E ngecur mes mosmarrëveshjeve territoriale e administrative, që në vitin 1995, kur mbaroi lufta, Bosnje Hercegovina mbetet një vend i vështirë për t’u qeverisur. Etnocentrizmi vazhdon të mbizotërojë në politikë dhe zgjedhjet e radhës nuk bëjnë përjashtim.
Për t’i ndërlikuar gjërat edhe më tej, politikani me prirje separatiste, Milorad Dodik, të cilit po i mbaron mandati si president i Republikës Serbe (një nga dy njësitë autonome në të cilat është ndarë vendi), ka marrë vendimin shqetësues për të kandiduar për presidencën trepalëshe të vendit. Shpresojmë që edhe në Bosnje Hercegovinë të bjerë fryma bashkëpunuese që po ndihet në vendet e tjera të rajonit, dhe që të shtyhen përpara nismat e bashkëpunimit midis etnive, gjë që ka pasur prej kohësh mbështetjen e shoqërisë civile në vend.
Nuk ka dyshim që dy dhjetëvjeçarët e fundit në Ballkan kanë sjellë më shumë acarime se zhvillime. Por Marrëveshja e Prespës tregon që nuk ka mosmarrëveshje që nuk zgjidhet, po të futet në lojë krijimtaria diplomatike dhe politike. Nëse javët e ardhshme përfundojnë mirë, rajoni që në fundin e shekullit të shkuar u shkatërrua nga nacionalizmi, tani mund të sfidojë rrymën që po tërheq botën drejt shovinizmit. Në një kohë kur shumë vende duken më të gatshme të ndërtojnë mure, do të ishte ironike dhe vërtet e kënaqshme të shohim që në Ballkan po ndërtohen ura.
Project Syndicate, Havier Solana
Havier Solana ka qenë Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë; Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s; Ministër i Jashtëm i Spanjës. Sot është president i Qendrës Botërore për Ekonomi dhe Gjeopolitikë, Anëtar i Shquar i Institutit Brukings dhe anëtar i Këshillit të Programit Botëror për Europën te Forumi Botëror i Ekonomisë.