Tetovë, konferencë për menaxhimin e mbeturinave në Pollog

Standardizimi i deponisë rajonale Rusino në mënyrë që atje në përputhje me të gjitha standardet ekologjike të deponohen mbeturinat nga rajoni i Pollogut ishte qëllimi i takimit të sotëm fillestar nga projekti për menaxhim të integruar të mbeturinave që u mbajt në Tetovë. Aktiviteti është mbështetur nga Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike. Sipas kryetares së komunës të Tetovës dhe kryetare e rajonit të planifikimit të Pollogut Teuta Arifi projekti do të zhvillohet në dy faza.

Marketing

“Në periudhën prej një viti duhet të përfundojë studimi i fizibilitetit dhe të përcaktohet dhe të avancohet sistemi për menaxhimin me mbeturinat në Pollog. Në këtë periudhë do të ndërmerren edhe masa afatshkurta për kullimin e tokës dhe për ujërat e zeza nga deponia në Rusino që ka si qëllim përfundimtar standardizimin e deponisë. Pasi të zgjidhet kjo do të mendohet nëse me deponinë  do të menaxhojë një kompani publike e formuar nga të gjitha komunat e Pollogut apo do të zhvillohet me partneritet publik – privat”, tha Arifi.

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari theksoi se vazhdimisht është në kontakt me popullatën e vendeve rreth deponisë Rusino të cilët tani nuk lejojnë hedhjen e mbeturinave derisa t’ju plotësohen kërkesat e caktuara.

“Tre apo katër vite popullata e atij vendi ka dhjetëra kërkesa dhe besoj se në bashkëpunim me komunat e tjera nga rajoni do të mund të plotësojmë të paktën gjysmën e atyre kërkesave që janë afatshkurtër veçanërisht për mbrojtjen e tokës, ajrit dhe ujit nga ndotja e mëtejshme. Për këtë tashmë ka projekt për analiza të tilla dhe pas rezultateve të marra ne në konsultim me ekspertët e ekologjisë do të ndërmarrim masat e duhura”, tha Taravari.

Ambasadorja e Zvicrës, Sibir Suter Tejada tha se në fazën e parë të projektit e rëndësishme është që të bëhet vlerësimi i situatave me menaxhimin e mbeturinave në Pollog ndërsa faza e dytë duhet të përfshijë zbatimin e masave dhe aktiviteteve konkrete.

“Trajtimi i përshtatshëm i mbeturinave duhet të ketë efekte pozitive jo vetëm për tokën, ajrin apo ujin, por më e rëndësishmja për shëndetin e popullatës lokale”, tha ambasadorja Tejada. Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sarulla Duraki tha se projektet e tilla tregojnë se ka vullnet, por dhe mjete për zgjidhje serioze të problemeve me mbeturinat.

Vlera e përgjithshme e investimit është rreth 7,8 milion euro, ndërsa kohëzgjatja është në dy vitet e ardhshme. Në këtë periudhë parashihet edhe zgjidhja e problemit të grumbullimit dhe deponimit të mbeturinave të ngurta apo inerte në rajonin e Pollogut