Erërat e forta, numërohen dëmet në kryeqytet

Era e fuqishme që përfshiu më shumë qytete të Maqedonisë përfshi dhe Shkupin, ka shkaktuar probleme në disa pjesë të kryeqytetit, duke shkulur pemë dhe duke thyer degë të shumta. Në një pjesë të Lagjes Karposh të Shkupit është rrëzuar një kulm, ndërsa në shumë pjesë të tjera janë dëmtuar kabllot elektrike, për të cilat kanë ndërhyrë ekipet e EVN-së. Dëme ka pasur edhe në Tetovë ku një magazinë duhani në fshatin Vrapçisht është shkatërruar plotësisht siç shihet edhe nga videoja e dërguar nga vet pronari i magazinës së duhanit.

Marketing

Për të ndjekur situatën është aktivizuar edhe shtabi i krizës nga ku thonë se kanë ndërmarrë të gjitha masat për intervenime në raste të caktuara. Nga Enti hidrometeorologjik njoftuan se era ka fryrë me shpejtësi prej 95 km në orë që njëkohësisht paralajmëron se ditëve të ardhshme do të kemi mot të freskët me temperatura më të ulëta.

Erëra të fuqishme u regjistruan edhe në Kosovë e Shqipëri. Në Prishtinë, siç njoftuan autoritetet një person është plagosur nga xhamat që u thyen në bibliotekën “Hiviz Sulejmani”, ndërsa gjithashtu erërat e forta kanë rrëzuar pemë dhe kanë shkaktuar dëme tjera materiale. Stuhia përfshiu edhe Shqipërinë. Situata më e vështirë u raportua në Kukës, ku për shkak të erërave të forta qyteti ka mbetur pa energji elektrike, ndërsa ka pasur edhe dëme tjera materiale. Meteorologët paralajmërojnë se erë e fortë pritet të na shoqërojë edhe të enjten dhe të premten kur temperaturat do të lëvizin, në mëngjes prej 0 deri 6 gradë, ndërsa gjatë ditës prej 15 deri në 24 gradë.