Të parët në referendum votojnë anëtarët e këshillave zgjedhorë të përfaqësive diplomatike konsullore

Në një vendvotim në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) nesër fillon votimi për referendumin më 30 shtator. Të parët do të deklarohen 104 anëtarë dhe zëvendës-anëtarë të këshillave zgjedhorë të cilët pas votimit do të udhëtojnë në përfaqësitë diplomatike-konsullore dhe përfaqësitë konsullore të Maqedonisë, ku të shtunën më 29 shtator do të mbahet votimi për referendumin.

Marketing

Votimi jashtë vendit do të zhvillohet në 33 përfaqësi diplomatike-konsullore dhe zyra konsullore të Republikës së Maqedonisë, ndërsa gjithsej për votim janë paraqitur 2.694 shtetas të Maqedonisë.

Do të votohet në PDK në Bern, Venecia, Lubjanë, Vjenë, Toronto, Londër, Bon, Hagë, Berlin, Melburn, Kanberrë, Bruksel, Stokholm, Paris, Romë, Kopenhagë, Uashington, Detroid, Pragë, Abu Dabi, Beograd, Podgoricë, Ankara, Athinë, Bukuresht, Stamboll dhe Budapest.

Më shumë për votim janë paraqitur në Bern 321, Venecia 264, Lubjanë 217 dhe në Vjenë dhe Toronto nga 151 shtetas të Maqedonisë. Më pak, vetëm 10 janë paraqitur për të votuar në Budapest, 13 në Stamboll, 14 në Bukuresht dhe 15 në Athinë.

Nëse ndokush nga qytetarët e paraqitur për të votuar në PDK-të për referendumin vijnë në Maqedoni nuk do të mund ta realizojnë atë të drejtë në vend sepse emri i tij do të jetë në certifikatat e veçanta të Listës zgjedhore të dedikuara për diasporën. Votimi në diasporë fillon në orën 7:00 të mëngjesit dhe përfundon në orën 19:00 sipas kohës lokale.

Të shtunën më 29 shtator votimi do të zbatohet edhe për personat e sëmurë dhe me probleme shëndetësore, për të burgosurit dhe për personat në arrest shtëpiak.