Të nderuar përfaqësues të mediumeve,
Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se fushata për referendumin për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian, që do të mbahet më 30 shtator, zhvillohet me një shkallë të lartë të efikasitetit dhe efektivitetit. Për çdo ditë vjen duke u forcuar mbështetja qytetare për përpjekjet e Maqedonisë për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Shtabi Qendror që merret me Referendumin e 30 shtatorit ka ndërmarrë aktivitete operative me përkushtim maksimal në terren dhe, rregullisht, në baza ditore, realizon takime me mijëra qytetarë tanë, me komunitetin akademik, shoqërinë civile dhe me një numër të madh të grupeve të interesuara.
Në këto takime, ku i pranishëm është edhe lideri Ali Ahmeti, si dhe strukturat më të larta udhëheqëse partiake, deputetët dhe aktivistët e degëve, para qytetarëve prezantohen përfitimet e vendit nga anëtarësimi në familjen evropiane dhe euro-atlantike, si para atyre që janë të bindur fuqishëm si dhe ndaj atyre që ndoshta në të kaluarën kanë qenë skeptik apo më pak kanë besuar në ndërtimin e një të ardhme të suksesshme dhe në prosperitetin e përgjithshëm të shtetit përmes arritjes së përcaktimit më të madh strategjik nacional – që është definuar që nga pavarësimi i vet.
Pas takimit me dhjetëra mijëra qytetarë konsiderojmë se çdo ditë e më shumë rritet optimizmi dhe mendimi pozitiv te qytetarët tanë, që na jep të drejtë të besojmë në mbarëvajtjen e suksesshme të Referendumit të 30 shtatorit – moment ky me rëndësi historike në trasimin e rrugës për krijimin e Maqedonisë Euroatlantike.
Numri i përkrahësve dhe i individëve me mendim dhe qëllim të ngjashëm në vazhdimësi vjen duke u rritur. Këtë e kemi konstatuar edhe nga interesimi për pjesëmarrje dhe në bisedat me bashkëqytetarët tanë gjatë takimeve.
Prandaj, nga këtu, i ftojmë të gjithë qytetarët që të na bashkohen sonte në orën 19 në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, të marrin pjesë në Tubimin Qendror të cilin e organizon Bashkimi Demokratik për Integrim në kuadër të fushatës për zhvillimin e suksesshëm të referendumit, ku këtij Tubimi do t’i drejtohet Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ju ftojmë që së bashku të demonstrojmë vullnetin për integrim dhe t’i themi JO izolimit.
T’i përforcojmë pozicionet tona dhe të japim mbështetje idealit për të cilin është themeluar dhe angazhohet BDI-ja – e ky ideal është prosperiteti i vendit përmes anëtarësimit në BE dhe NATO.
T’u themi PO atyre që na e shtrinë dorën dhe të futemi në dyert që na i hapën miqtë tanë nga Evropa dhe Bota që, përfundimisht, t’i realizojmë aspiratat tona tanimë 27- vjeçare.