Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), sonte ka mbajtur tubimin qendror për referendumin e 30 shtatorit në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.
Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ministra dhe funksionarë të kësaj partie.
Numri një BDI-së Ali Ahmeti tha se rruga që kemi bërë deri tani, nuk ka qenë aq e lehtë dhe siç tha, “me pjekurinë, maturinë që ne kemi treguar, ju sigurisht e vërtetoni në saje të këtij himni se nuk ka ndryshuar dhe i njëjti himn po paraqitet edhe në këtë fushatë”.
“Prioritet kemi pasur NATO-n dhe BE-në, prioritet mbi prioritetet kemi pasur jetësimin në frymë dhe germë të MO-së, sigurisht që jemi afruar në përmbylljen e kësaj marrëveshje, veçmas aktin e fundit ligjin për përdorimin e gjuhëve që është pjesa e fundit e kësaj marrëveshje dhe presim së shpejti bashkë me vendimin me marrëveshjen e Prespës, kryetari i Kuvendit të nënshkruajë dy vendime të mëdha, si ligjin për gjuhën ashtu edhe marrëveshjen e Prespës që më pas të publikohen në Gazetë zyrtare dhe të hyjnë në fuqi”, ka thënë në fjalimin e tij para qytetarëve të Shkupit, Ali Ahmeti.
Sipas tij, 30 shtatori është një moment i papërsëritshëm dhe histori, sepse vendoset për të ardhmen evropiane të vendit.
“Më 30 shtator ne vulosim dhe ndahemi përgjithmonë nga e kaluara dhe vendoset gurthemeli për të ardhmen evropiane të vendit. Kemi marrë vendime të rëndësishme, të guximshme, për të bërë popullin dhe anëtarësinë tonë krenar, përpara kësaj dite historike që është para nesh. Më 30 shtator votohet për shtet, ardhmëri, ekonomi, investime, ardhmërinë e brezave dhe shekujve që vijnë pas. Më 30 shtator alternativë tjetër nuk ka përveç NATO-s dhe BE-së”, ka nënvizuar Ahmeti.
Publiée par Bashkimi Demokratik për Integrim – BDI sur Mardi 25 septembre 2018