Fjalimi i plotë i Artan Grubit në tubimin në Çair
Të nderuara zonja dhe zotërinjë, mirëmbrëma dhe ju faleminderit shumë që na mundësuat të takohemi sonte, gëzohem që ju shoh shëndosh e mirë.
Sa të lumë që jemi ne, si gjeneratë, të lumë që mund të bëjmë një gjë për tjetrin.
Ne dhe ju, bashkë, jemi gjeneratë e lumë sepse përjetuam dhe kontribuuam në arritjen e marrëveshjes së Ohrit dhe ndryshimeve kushtetuese
Ishim të lumë se kishim fatin që bashkë ta legalizojmë USHT dhe ta themelojmë UNT.
Sa me fat që ishim ne që bëmë komunat tona, sollëm pushtetin tek qytetari.
Po aq me fat dhe të lumë ishim si gjeneratë që e bëmë flamurin tonë.
por bëmë edhe statusin vend kandidat për anëtarësim në BE, liberalizimin e vizave, datën për fillim të negociatave dhe ftesën për anëtarësim në NATO.
Të ndalemi pak dhe të mendojmë se i përkasim gjeneratës që kishte fatin të jetoj në kohën kur Shqipëria u bë anetare e NATOsë e Kosova e pavarur, që të dyja këto i festuam mu në këtë shesh. Ne kishim fatin edhe ti rrënojmë kufijtë mes nesh dhe ta njohim pavarësinë e Kosovës.
Kishim fatin te bëjmë barazinë gjuhësore dhe rrumbullakësimin e marrëveshjes së Ohrit.
Arritëm ti bëjmë edhe marrëveshjet me Bullgarine dhe Greqin që dukeshin të pamundura.
Ndërsa nesër do të kemi fatin dhe përgjegjësinë që të punojmë për barazi ekonomike dhe do ta bëjmë sepse u dëshmuam me të lartepermendurat.
Këtë fat dhe përgjegjësi e kemi sepse ashtu keni vendosur ju, të na bëni vendimtar.
Duke qenë vendimtar, ne ngritëm flatrat në drejtim të erës që po shpie anijën tonë të përbashkët drejt Brukselit.
Ndërsa më 30 shtator zonja dhe zotërinj, me 30 shtator kemi fatin e papërsëritshëm, sic do thoshte Abdyl Frashëri më 1878, u mbuall fara, me 30 shtator mbillet fara e drurit që nesër do t’u bëjë hije Epirit tim, Olsës së Kryetarit, Elsës së Bujarit, Mbretit të Ejupit, Dionit të Visarit, dhe të gjithë fëmijëve tanë, hije të rëndë evropiane.
Kjo është beteja e gjeneratës sonë për fëmijët tanë.