Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se sot opozita gjatë takimit me përfaqësuesit evropianë për viza, kanë folur kundër liberalizimit.
Në një postim në Facebook pas takimit me përfaqësuesit e shteteve anëtare, të cilët po e vizitonin Kosovën për herë të parë, e ku theks i veçantë i vizitës së tyre ishte liberalizimi i vizave, Hoxhaj tha se sjellja e përfaqësuesve të opozitës ka qenë për keqardhje.
Ai tha se me gjithë agjendat dashakeqe të një pjese të politikës në Kosovë, lajmi i mirë për vizat do të vijë shumë shpejt.
“Opozita sot hapur ka dalë kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Është për keqardhje sjellja e përfaqësuesve të disa partive opozitare në takimin me diplomatët e shteteve anëtare (COWEB) që po e vizitojnë Kosovën për herë të parë. Liberalizimi i vizave nënkupton liri udhëtimi për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe për anëtarët e opozitës. Lajmi i mirë nuk do të vonojë, me gjithë agjendat dashakeqe të një pjese të politikës në Kosovë”, ka shkruar Hoxhaj.