Bashkëpunimi në siguri i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së me qëllim forcimi i sigurisë dhe stabiltietit, ka qenë temë e takimit joformal në Grac e ministrave të Mbrojtjes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Austrisë në të cilën ka marrë pjesë edhe zëvendësministri i Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Bekim Maksuti.
Siç kanë njoftuar Ministria e Mbrojtjes, në takimin që është nën patronazhin e ministrit austriak të Mbrojtjes Mario Kunasek, ministrat janë informuar për konkluzat e takimit kohë më parë të ministrave të Mbrojtjes së BE-së në Vjenë. “Maqedonia përballet me sfidat e njëjta të sigurisë dhe kërcënimeve si edhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Evropës. Qeveria e Republikës së Maqedonisë është e bindur se sundim stabil dhe i përkushtuar dhe praktikimi i parezervë i të drejtës mund të sigurojë kushte për rajon të sigurt dhe prosperues”, ka thënë zëvendësministri Maksuti.
Ai ka shtuar se qytetarët e Maqedonisë janë para një momenti kyç, ai është referendumi më 30 shtator që sipas tij do të ndikojë jo vetëm në sigurinë, stabiltietin dhe prosperitetin e vendit, por edhe në gjithë rajonin. Si sfida kyçe të sigurisë për Evropën dhe Ballkanin, Maksuti ka theksuar migrimin ilegal, krimin e organizuar, kërcënimet hibride dhe kibernetike. Ai ka shtuar se gjithë këto sfida kërkojnë përgjigje të përbashkët. Ndryshe, takimi i ministrave ka përfundiar me Deklaratë të përbashkët ku theksohet përkrahje e fuqishme e perspektivave evropiane në Ballkanin Perëndimor si dhe aksioni i përbashkët në përballjen me sfidat e sigurisë dhe bashkëpunim në planin e mbrojtjes së kufijve nga migrimi ilegal drejt BE-së.