ITSHKSH: Mbështetje votës PËR, në referendumin e 30 shtatorit

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, duke e vlerësuar momentin historik dhe rëndësinë që ka integrimi euro-atlantik i vendit tonë, u drejtohet të gjithë qytetarëve të vendit që të deklarohen pozitivisht në referendumin e 30 shtatorit, duke besuar thellë se kështu realizohen edhe synimet shekullore shqiptare për t’u bashkuar me botën e qytetëruar perëndimore. Në të vërtetë, që nga Sami Frashëri, Ismail Qemali, Hasan Prishtina e Ferhat Draga, ka vazhduar amaneti rilindës për orientimin properëndimor të kombit tonë.

Marketing

Nisur nga kjo, ndërsa duke qenë të bindur se me integrimin euro-atlantik të Maqedonisë hapen edhe perspektiva për zhvillimin e shkencës, arsimit, kulturës dhe kultivimit e mbrojtjes së identitetit tonë kombëtar, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni vlerëson se është interes jetik i shqiptarëve në Maqedoni që të deklarohen PËR në këtë referendum, duke mos lejuar që të përsëriten histori të kaluara të këtij rajoni të trazuar.

Është, po ashtu, edhe përgjegjësia dhe vendosmëria intelektuale ajo që na shtyn të jemi të kujdesshëm për të ardhmen tonë në këtë vend, ndërsa duke i besuar, me këtë rast, edhe komunitetit miqësor ndërkombëtar, që na mbështet në këtë synim, jemi të bindur se rruga jonë e vetme si shtet dhe si komb është integrimi euro-atlantik, që merr udhë përmes PO-së së këtij referendumi.