Izraeli akuzon Iranin për posedim të depove bërthamore

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka akuzuar Iranin për posedim të depove atomike sekrete afër Teheranit.
Ai i ka bërë këto deklarata në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të cilat janë hedhur poshtë nga zyrtarët iranianë.

Marketing

Netanyahu ka prezantuar disa fotografi të kryeqytetit iranian dhe disa zona të përcaktuara me ngjyrë të kuqe, për të cilat ka thënë se janë zona ku gjenden deponitë që mbajnë material bërthamor.

Sipas tij, këto të dhëna tregojnë se Irani është ende duke synuar të krijojë armë bërthamore, pavarësisht marrëveshjes së vitit 2015 që ka me fuqitë botërore dhe e cila parasheh lirim të sanksioneve ndërkombëtare në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor nga ana e Iranit.

Ai i ka bërë thirrje Agjencisë Atomike të OKB-së për të vëzhguar lokacionet, kërkesë e cila është përmendur më 27 shtator edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Mirëpo zyrtarët iranianë kanë hedhur poshtë të gjitha pretendimet.

“Bota vetëm do të qeshë me të madhe nga një lloj i tillë, i rremë, pakuptim dhe i panevojshëm i fjalimit”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Bahram Qassemi, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Fars.

Mirëpo lideri izraelit e konsideron Iranin si armikun më të madh të shtetit të tij andaj edhe më herët ka bërë akuza lidhur me aktivitetet bërthamore të Iranit, të cilat kanë qenë të vështira për t’u verifikuar.