Linja hekurudhore Beograd – Shkup – Selanik do të ndërpritet. Edhe pas përpjekjeve të Shkupit zyrtar për t’i bindur Hekurudhat e Serbisë që të mos e ndërpresin këtë linjë, trenat nga e hëna dhe deri më 15 qershor të vitit të ardhshëm nuk do të qarkullojnë. Nga hekurudhat e Maqedonisë-Transporti, për Alsat konfirmojnë se pas takimit të mbajtur në Beograd, “Hekurudhat e Serbisë” kanë qenë kategorike se kjo linjë nuk është e leverdishme që të jetë funksionale gjatë gjithë vitit.
Hekurudhat e Maqedonisë- Transporti
“Përfundimisht nga e hëna nuk do të qarkullojë treni në linjën ndërkombëtare hekurudhore Beograd-Shkup-Selanik. Kemi negociata dhe po shqyrtojmë mundësi të tjera për lidhje hekurudhore me dy vendet fqinje. “Treni i Serbisë” do ta rivendosë këtë linjë nga 15 qershori i vitit të ardhshëm dhe do të ecë vetëm gjatë sezonit të verës “.
“Treni i Serbisë” që në janar të këtij viti njoftoi Hekurudhat e Maqedonisë- Transporti se në pajtim me “Trenos-in” grek, ata kanë vendosur ta ndërpresin linjën për shkak të mos pasjes rentabilitet. Një vendim të tillë e kanë miratuar si Administratë Hekurudhore prej ku niset ose mbërrin treni, ndërsa Hekurudhat e Maedonisë Transporti si një administratë hekurudhore transit ka të drejtë të paraqesë vetëm një kundërshtim. Treni, sipas njoftimit nga “Treni i Serbisë”, do të lëvizë vetëm gjatë sezonit veror nga 15 qershori deri më 15 shtator.