Prishtinë, sot protestohet kundër Thaçit 

Kosovo's new President Hashim Thaci looks on during the Presidential inauguration ceremony in Pristina, Kosovo April 8, 2016. REUTERS/Armend Nimani/Pool

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se sot do të mbajnë një protestë paqësore me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”.

Marketing

Protestuesit do të nisen nga qytete të ndryshe drejt kryeqytetit, duke filluar nga ora 10:00, për të cilët Vetëvendosje ka siguruar transport falas.

Protesta parashihet të filloj në ora dy nga Biblioteka Kombëtare për të vazhduar në sheshin “Skënderbeu”, dhe do të përfundojë me një koncert në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Më poshtë njoftimi i plotë i Vetëvendosjes:

Një popull s’i nënshtrohet një njeriu

Të dashur qytetare e qytetarë të Kosovës, data 29 shtator është dita kur masivisht duhet treguar mospajtimi ynë me pazaret që po bëhen me tokën e Kosovës.

Presidenti Thaçi pa autorizim, pa legjitimitet e kokë në vete po zhvillon negociata me Vuçiqin për territorin e sovranitetin e vendit. Kuvendi është anashkaluar nga presidenti e sabotuar nga mazhoranca duke mos mundësuar që aty të zhvillohet debat e të ndalohet përpjekjet për të bërë pazare me Republikën.

Në vend se të punojë për zhvillimin ekonomik e forcimin e institucioneve, ky lloj i politikanit po e zhvat Kosovën, po e dobëson atë, dhe si përfundim po e ndan e po ia jep Serbisë.

Kosova nuk i ka borxh Serbisë, përkundrazi, është Serbia që i ka shumë borxhe Kosovës, me mbi 100.000 shtëpi të shkatërruara, prona e dokumente të vjedhura, e mbi të gjitha, mbi 12.000 të vrarë, 1650 të pagjetur, 20.000 viktima të dhunës e gati 1 milion të zhvendosur dhunshëm. Kësaj Serbie që ende nuk i pranon fajet e veta, Thaçi po dëshiron t’ia japë edhe Ujmanin e Trepçën.

Ne nuk mund ta lejojmë këtë. Protesta e sheshi bëhen hapësirat e vetme dhe të domosdoshme për të shprehur bindjet dhe vullnetin tonë në mbrojtje të vendit. Të shtunën, me 29 shtator, prej orës 14:00, së bashku do të protestojmë paqësisht e qytetarisht në Prishtinë kundër pazareve me Serbinë, për sovranitetin e vendit.