RDK: Referendumi testoi të gjithë aktorët politik

Rilindja Demokratike Kombëtare vlerëson se Referendumi i sotëm ishte testi më i lartë që është organizuar ndonjëherë për sjelljen e gjithë aktorëve politik në vend. Referendumi i 30 shtatorit do të mbahet mend si referendumi më demokratik që është organizuar ndonjëherë që nga pavarësimi i vendit e deri më sot.

Marketing

Në të njëjtën kohë, ky referendum dëshmoi vullnetin e qartë dhe të pastër, se shumica e votuesve të këtij vendi janë pro vlerave demokratike dhe perëndimore, pro strukturave evroatlantike, edhe atë vullnet prej më shumë se 90%.

RDK gjithashtu vlerëson se ky referendum nxori në sipërfaqe fytyrat e vërteta origjinale të të gjithë aktorëve politik në vend, me qëllim që të gjithë të kuptojnë drejtë konsistencën e të vepruarit politik në mes asaj deklarative dhe veprimit konkret praktik. Me fjalë tjera, referendumi ishte oferta dhe testi i fundit ofruar manipulatorëve politik që për herë të fundit të heqin dorë nga manipulimi me popullin, ndërsa në fund të gjithë tentuesit e bojkotimit do të dalin vet të manipuluar.

RDK vlerëson lartë urtësinë dhe pjekurinë e votuesit shqiptarë, që nuk rranë pre e tentimeve për sjellje antidemokratike dhe dhunuese të vet procesit të votimit, që dikush ka shpresuar se do të ndodh. Kjo urtësi dhe pjekuri e lartë e votuesit shqiptarë në veçanti, dhe gjithë votuesve tjerë në përgjithësi, e obligon Kuvendin e R. së Maqedonisë, që të kuvendoj me ndryshimet kushtetuese që janë të patjetërsueshme për rrugëtimin tonë drejt NATO-s dhe BE-së. RDK vlerëson se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë do të gjejë forcë të marr mbi supet e veta përgjegjësinë e vendimit që do të jetë i vlefshëm për gjeneratat që do të pasojnë.