Supermarkete në vend të dyqaneve të mëhallës

Maqedonia ngadalë por sigurt po ndjek trendet globale të uljes së punës së dyqaneve të vogla të mëhallës në raport me rrjetet e ndryshme të supermarketeve. Uljen e punës së shitoreve të vogla e konfirmojnë edhe të dhënat e Entit të Statistikës, apo “Regjistri i tregtisë me pakicë”, sipas të cilit në vitin 2003 në shtet kanë punuar 24.276 dyqane të ndryshme , ndërsa në vitin 2016 apo 13 vite më vonë numri i tyre është zvogëluar në 18.250. Në këtë total me gati një të katërtën dominojnë dyqanet ushqimore, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Analiza e të dhënave statistikore tregon se në harkun kohor 2003-2016 janë mbyllur mbi 6000 dyqane, ndërsa nga ana tjetër janë hapur me dhjetëra e dhjetëra markete të investitorëve të huaj , por edhe nga tregtarët vendor të shitjes me pakicë. Në ndërkohë, rrjeti i parë modern i supermarketeve në Maqedoni daton nga viti 1994 dhe ndërlidhet me kompaninë vendore të tregtisë me pakicë, Tineks. Sot ai ka 39 dyqane dhe supermarkete në tërë Maqedoninë.

Supermarketet Vero që para 21 vitesh ishin investimi i parë i huaj në rrjetin e tregtisë me pakicë në Maqedoni. Ky rrjet me origjinë nga Greqia ka hapur 12 supermarkete në Shkup dhe qytetet e tjera më të mëdha në Maqedoni.

Ramstore filloi me punë më vitin 2005 në Shkup me hapjen e supermarketit të parë, për të zgjeruar më vonë rrjetin e shitjes , jo vetëm në kryeqendrën e Maqedonisë, por edhe në qytetet më të mëdha në shtet. Ai ofron shërbimet e tij në shtatë qytete të ndryshme të vendit në 26 markete më të vogla dhe supermarkete.

Njëherësh në vitet e fundit në Maqedoni një bum të madh të hapjes së marketeve më të vegjël shënojnë edhe shumë kompani vendore. Kipper, KAM Market, Stokomak, Zhito Marketi etj. janë disa nga brendet vendore që seriozisht me ofertën e tyre dhe shtrirjen në tërë Maqedoninë ju konkurrojnë supermarketeve Tineks, Vero dhe Ramstor .

Gjithashtu të dhënat tregojnë se sipas qarkullimit disa nga rrjetet vendore të tregtisë me pakicë bile renditen edhe para kompanive të huaja të tregtisë me pakicë. Në vitin 2015, kompania Kam ka pasur qarkullim prej afër 94 milionë euro dhe fitim prej afër 4 milionë euro, e pasuar nga Tineksi me 91 milionë euro xhiro dhe fitim prej afër 3.7 milionë euro dhe Zhito Marketi me qarkullim prej afër 42 milionë euro dhe fitim prej 1.1 milion euro. Në vendin e katërt , sipas treguesve financiar ka qenë Ramstor me qarkullim prej afër 36 milion euro dhe fitim prej afër 400 mijë euro, i pasuar nga Stokomak me 29 milionë euro qarkullim dhe fitim prej afër 1.3 milion euro.

Në vendin e gjashtë të renditjes është kompania Kiper me qarkullim prej afër 22 milionë euro dhe fitim prej afër 1.1 milion euro , e pasuar nga “Skopski Pazar”, me qarkullim prej afër 17 milionë euro dhe fitim prej 570 mijë euro. 20 kompanitë e tjera në renditje qarkullojnë prej 6 deri në 14 milionë euro në vit dhe kanë fitim prej 600 deri 800 mijë euro. (koha.mk)

Marketing