Ekspertët: Pragu i ulët në referendum, pasojë e listës së votuesve

Suksesi apo dështimi i referendumit nuk mund të llogaritet si plotësisht real me listën zgjedhore aktuale, thonë ekspertët. Robert Nesimi konsideron se lista zgjedhore nuk është reale. Kjo për shkak të largimit të qytetarëve nga vendi. Nesimi kërkon regjistrim urgjent të popullsisë.

Marketing

Ne kuadër të referendumit dhe në kuadër të zgjedhjeve të mëparshme, regjistrimi i popullsisë është shumë i rëndësishëm sepse do të shërbejë për pastrimin e listës zgjedhore. Tani ka 1 milion e 800 mijë votues që unë mendoj se totalisht nuk është numër real, pa u bë regjistrimi vështirë se do të mund të pastrohet kjo listë ndërsa është mëse e nevojshme që të pastrohet. Procesi është që të bëhet regjistrimi dhe pastaj të pastrohet lista zgjedhore dhe më pas ne mund të flasim për suksesin apo mossuksesin e referendumit. Por edhe sikur numri të jetë i ulët mos të them 1 milion e 400-500, përsëri me këtë dalje prej 65.000 prapë do të kishte dështuar, mendoj se këtu kemi një problem pak më të thellë se lista zgjedhore- vlerëson Robert Nesimi, ekspert.

Nga ana tjetër drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës Apostol Simovski thotë se Ligjet ekzistuese që kanë të bëjnë me regjistrimin e popullsisë nuk mundësojnë që Maqedonia të ketë një situatë të qartë lidhur me të dhënat e votuesve real.

Ligji për regjistrim dhe garancia Kushtetuese që secili shtetas i Maqedonisë që ka mbushur moshën madhore të jetë edhe votues, nuk i jep askujt të drejtë që disa persona t’i fshijnë nga lista zgjedhore. Është çështje tjetër që disa Ligje të caktuara, të tregojnë se sa real është pragu ekzistues dhe i pritshëm për çfarëdolloj situate për zbatim të referendumit apo të zgjedhjeve të ndryshme. Këtu duhet të mendohen ata të cilët sjellin Ligje se si të reagojnë në rast të këtyre përvojave që i kemi pasur deri më tani, ja dhe përvoja e djeshme na tregoi se diçka në këtë drejtim duhet të pësojë ndryshim. Duhet ta zgjedhim atë modelin amerikan dhe anglez ku në çdo zgjedhje bëhet regjistrim i votuesve, gjegjësisht regjistrohen vetëm ata persona të cilët konsiderojnë se do të votojnë, dhe vetëm ata do të kenë të drejtë vote- deklaroi Apostol Simovski, Drejtor i Entit Shtetëror të Statistikës.

Regjistrimi i ri i popullsisë planifikohet të fillojë më 1 Prill të vitit 2020. Drejtori i Entit shtetëror të statistikës kishte paralajmëruar disa risi në regjistrimin e ri, në metodën e aplikimit të regjistrimit, në të cilën do të përfshihen më shumë se 60 çështje mbi statusin e qytetarëve./Alsat-M/