Zendeli: Ndërprerja e linjës Shkup-Gjevgjeli, dëmton ekonominë

Nëse shteti për shkurt kohë nuk e rregullon urën hekurudhore drejtë Selanikut, dëme më të mëdha do të pësojë biznesi. Nga Oda ekonomike e Maqedonisë alarmojnë se nga kjo goditje më të madhe do ketë sektori i metalurgjisë.

Marketing

Nga pushteti kërkojnë intervenim të shpejtë, në të kundërt, dëme do ketë e gjithë ekonomia. Sasitë e mëdha të ujit që të premten janë derdhur në “Crna Reka” e kanë dëmtuar urën e betonit tek stacioni hekurudhorë në Gradsko. Që atëherë në ndërprerje është transporti për mallra dhe udhëtarë i linjës Shkup-Gjevgjeli.

“Nëse shtyhet rikonstruktimi, pasoja negative para së gjithash do ketë sektori i metalurgjisë të cilët për shkak të natyrës së prodhimeve nuk munden plotësisht të gjejnë zëvendësim për hekurudhën.

Nuk do munden në kohë të transportohen lëndët e para me të cilat kompanitë furnizohen për procesin e prodhimit, ndërsa problem do jetë edhe transportimi në kohë i prodhimeve të gatshme që është planifikuar për eksport për nevojat e klientëve të huaj”, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Nga Oda thonë se për shkak të çrregullimit të dinamikës së transportit, kompanitë do të paguajnë penale për vonesat, me çka në mënyrë plotësuese do të rriten shpenzimet e tyre. Nga Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti, thonë se përveç ekonomisë, dëme do të ketë edhe kompania. Vetëm për një ditë dëmet janë prej 25 deri më 27 mijë euro.

Duke pas parasysh se qarkullimi i transportit tërësisht është ndërprerë, ne si Hekurudhat e Maqedonisë – Transport dhe Infrastrukturë kemi ulje të të ardhurave pasi nuk qarkullon transporti, nga ana tjetër, normalisht se edhe ekonomia do të pësojë dëme të caktuara pasi do duhet të gjenden mundësi alternative për transportimin e mallrave”- u shpreh Shaban Zendeli, drejtor i Hekurudhave të Maqedonisë – Transporti.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ende nuk ka bërë llogaritë se sa do jenë dëmet e biznesit nga ndërprerja e transportit drejtë portit të Selanikut, ndërsa presin që ura të rregullohet për dy javë.

Informatën e fundit që e kam nga Hekurudhat është se në 15 deri në 20 ditët e ardhshme ura komplet do të rregullohet”- theksoi Goran Sugarevski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Nga Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura, thonë se rregullimi i shpejtë i urës do jetë vetëm për përdorim të kufizuar, ndërsa në ndërkohë do të duhet të ndërtohet urë e re nga çeliku ose betoni. Ura në lumin Crna Reka është e vjetër 40 vjet, ndërsa kontrollimi i fundit është bërë para 10 viteve.