Fulhami, skuadër e cila ndodhet në fund të tabelës së Premierligës, e pret sot në shtëpi Arsenalin, i cili është në formë shumë të mirë. Ndeshja e cila do të zhvillohet në Craven Cottage do të fillojë në orën 13:00.
Skuadra e Unai Emerys do të tentojë ta fitojë sot të gjashtën ndeshje radhazi në Premierligë. Kjo do të jetë ndeshja e tretë kundër klubeve londineze për të dy klubet këtë sezon, transmeton Gazeta Express.
Arsenali i ka fituar të gjitha ndeshjet pas dy xhirove të para të Premierligës, në të cilat kishin pësuar humbje nga Chelsea dhe Manchester City. Ndërsa, e kundërta vlen për Fulhamin, i cili nuk ka arritur të sigurojë fitore në katër ndeshjet e fundit të Premierligës.
Ndeshja pritet të ketë mjaft shumë gola, pasi që skuadra e Unai Emerys ka arritur t’i shënojë 24 gola në nëntë ndeshjet e fundit të tyre, me një mesatare prej 2.67 golave për çdo ndeshje.
Aleksandar Mitrovici ka qenë ylli i Fulhamit deri më tani, duke i shënuar pesë gola në shtatë ndeshje të Premierligës. Ndërsa, Alexandre Lacazette ka arritur t’i shënojë dy gola dhe t’i bëjë dy asiste në katër ndeshjet që ka startuar.