Italia do t’i mbyllë aeroportet e saj për aeroplanët e paautorizuar që bartin emigrantë nga Gjermania, kështu ka thënë ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini.
Kjo deklaratë ka nxitur reagime midis partnerëve të Bashkimit Evropian të cilët kanë ndarë përgjegjësitë e tyre për azilkërkuesit, shkruan Euronews.
Të dyja vendet kanë rënë dakord që Gjermania t’i kthejë mbrapa emigrantët të cilët fillimisht kanë kërkuar azil në Itali, mirëpo kjo marrëveshje ende nuk ka hyrë në fuqi.
E përditshmja italiane, La Repubblica, ka raportuar se agjencia gjermane për refugjatë ka planifikuar t’i kthejë një numër të konsiderueshëm të refugjatëve sërish në Itali.
“Nëse dikush në Berlin apo në Bruksel mendon t’i kthejë emigrantët në Itali, nëpërmjet fluturimeve të paregjistruara, ata duhet ta dinë se aeroportet do të jenë të mbyllura”, ka thënë Salvini në një deklaratë.