Qeverisë dhe shumicës parlamentare i kanë mbetur vetëm edhe tre ditë për negociata me opozitën, nëse dëshirojnë që të kapin afatin e parë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Për t’u mbajtur ato më 25 nëntor,, siç paralajmëroi kryeministri Zoran Zaev, zgjedhjet duhet të shpallen më së voni më 10 tetor, thotë ish nënkryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Subhi Jakupi. Ai sqaron se ligjërisht zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të shpallen më së voni 48 ditë para ditës së votimit.
“Ne sipas eksperiencës tonë, kemi organizuar zgjedhje më së shumti deri në 48 ditë të cilat kanë qenë të parapara. Nëse potencohet 25 nëntori si datë kur mund të mbahen zgjedhjet, domethënë dita që mund të shpallen duhet të jetë 10 tetori dhe këto ditë do të jenë shumë të ngjeshura për t’u arritur këto afate që potencova”, deklaroi Subhi Jakupi, ish nënkryetar i KSHZ-së.
Mos kompletimi i komisionit për parandalimin e korrupsionit, sipas Subhi Jakupit, nuk paraqet pengesë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nga përvoja e tij shumëvjeçare si anëtar dhe nënkryetar i KSHZ-së, Jakupi rikujton se para mbajtjes së zgjedhjeve nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi mes KSHZ-së, antikorrupsionit dhe Entit shtetëror për revizion. Në mungesë të antikorrupsionit, ai thotë se kontrollin e raporteve financiare e merr përsipër Revizioni Shtetëror.
“Nga ajo që unë kam përvojë, gjithmonëKomisioni Antikorupsion nuk ka luajtur ndonjë rol të rëndësishëm në zgjedhje. Më tepër kompetencat janë në Entin për Revision, për të bërë kontroll tëçështjes finansiare të partive politike, për çdo raport që japin ato, që janë të parapara së paku 3 raporte gjatë organizimit të zgjedhjeve. Kështu që nga ajo që unë potencoj, edhe nëse nuk ka komision për antikorupsion, nuk do të jetë ndonjë hendikep tejmase. Kjo barrë për kontrollimin e pasurisë dhe raporteve financiare, më së tepërmi do t’i bjerë Entit për Revision”, shton më tej Subhi Jakupi, ish nënkryetar i KSHZ-së.
Kryeministri Zoran Zaev ditë më parë tha se nëse dështojnë bisedimet me opozitën për të votuar ndryshimet kushtetuese në Kuvend, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ndërsa për t’u kapur afatet kohore për implementimin e marrëveshjes, ai tha se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejtë të jetë e mundur, duke përmendur 25 nëntorin si datë të mundshme. SHENJA