Kosovarja Loreta gjen shërim në Turqi

Loreta Arifi nga Kosova është shëruar në saje të operimit të kryer nga mjekët turq në qytetin Erzurum të Turqisë, ku shkoi në karrocë pasi kishte humbur aftësinë e të ecurit për shkak të një infektimi, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Shtatëmbëdhjetëvjeçarja Loreta nga Prishtina para pesë muajve kishte vizituar mjekët në Kosovë pas paraqitjes së dhimbjeve në pjesën e këllqeve, ndërsa prindërve të tyre, Omer dhe Lumnije Arifit, ata u kishin thënë se bëhet fjalë për tuberkuloz.

Teksa gjendja e saj nuk kishte filluar të përmirësohet aspak, ajo me kalimin e kohës kishte humbur edhe aftësinë e të ecurit, ndërsa kësaj radhe mjekët e kishin diagnostifikuar me kancer.

Vildan dhe Hüseyin Erdoğan nga qyteti Erzurum i Turqisë, të cilët ishin njohur me familjen Arifi kur kishin ardhur në Kosovë për pushime, ua kishin rekomanduar mjekët turq për trajtimin e vajzës së tyre dhe me këtë çifti Arifi kishin vendosur që vajzën e tyre ta dërgonin në Turqi.

Familja Arifi ishte mysafire te çifti Erdoğan për 15 ditë në Erzurum. Loretën, e cila vazhdimisht qante për shkak të dhimbjeve dhe vazhdonte jetën në karrocë, vendosën ta dërgonin në Spitalin Kërkimor pranë Fakutltetit të Mjekësisë në Universitetin Ataturk.

Mjeku dhe profesori universitar nga Departamenti i Ortopedisë dhe Traumatologjisë, Kutsi Tuncer, dhe mjeku nga Departamenti i Radiologjisë, Hayri Oğul, zbuluan se në fakt bëhej fjalë për një infektim në zonën që lidh boshtin kurrizor me legenin, dhe jo për tuberkuloz apo kancer.

Arifi u shërua pas operimit të kryer nga Tuncer dhe mjeku Sinan Yılar, i cili po ashtu është ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë. Loreta qëndroi në spital vetëm një ditë.

Ajo ndali lotët kur mësoi se nuk vuan nga kanceri, ndërsa aktualisht është e gëzuar që do të kthehet në vendin e saj duke ecur e jo në karrocë.

“Loreta vazhdimisht qante për shkak të dhimbjeve. Vuante aq shumë, aq sa nuk më lejonte ta trajtoja. Analizuam rezonancën magnetike të cilën e kishin bërë në Kosovë. Me ndihmën e specialistit në fushën e radiologjisë, Doc. Dr. Oğul, erdhëm në përfundimin se bëhet fjalë për infektim në zonën mes boshtit kurrizor dhe legenit, pra septic sacroiliitis”, tha Tuncer për AA.

Tuncer tha se pas terapisë, Loreta tanimë nuk ndien aspak dhimbje.

“Ajo fjeti vetëm një natë në spital dhe më pas e liruam. Loreta, e cila nga Kosova erdhi duke qarë në karrocë, u largua nga spitali ynë duke qeshur dhe e shëndoshë”, shtoi Tuncer.

Ai theksoi se nuk është gjetur asnjë gjurmë kanceri dhe se e tërë gjendja është shkaktuar vetëm nga zona e infektuar.

Ndërkaq, mjeku Sinan Yılar tregon se infektimi ishte i mbyllur në atë zonë të trupit dhe e kishte të pamundur të dilte jashtë, gjë që ka pamundësuar edhe ndikimin e barnave.

“Pasi pastruam zonën e infektuar, pacientja jonë u shërua ditën e nesërme”, tha Yılar.

Nga ana e saj, Loreta falënderoi familjen Erdoğan dhe mjekët.

“I falënderohem kësaj familjeje që na kanë marrë këtu, edhe mjekëve gjithashtu”, u shpreh Loreta, duke thënë se ndihet e lumtur që do të shkojë në shkollë, ndërsa shprehu dëshirë që një ditë të studiojë në Turqi dhe të bëhet mjeke.

Omer Arifi, babai i Loretës, po ashtu falënderoi familjen Erdoğan, me të cilën është njohur rastësisht në Kosovë, duke thënë se u është mirënjohës atyre dhe mjekëve turq që shëruan vajzën e tij.

Ai rrëfen se fillimisht vajzën e tyre kishin vendosur ta dërgonin për trajtim në Francë, por në fund zgjodhën Turqinë pas rekomandimit të çiftit Erdoğan, i cili priti familjen kosovare në shtëpinë e tyre.

Ndërkaq, Vildan Erdoğan, tha se ndihet tejet e lumtur që kanë qenë shkaktar që Loreta të shërohet.

Loreta dhe familja e saj mësohet se tashmë janë kthyer në Kosovë.

Marketing