Rreth 180 persona të pastrehë nga Shkupi tani më 10 vjet kanë mundësi t’i shfrytëzojnë shërbimet e pikës për persona të pastrehë në Momin Potok. Dy herë në javë ata marrin këshilla dhe mbështetje nga psikologu, punonjësi social, shërbime shëndetësore, ilaçe, veshje, ndërsa mbajnë edhe higjienë personale.
“Bëhet fjalë për kategori të qytetarëve të cilët për arsye të ndryshme e përfundojnë jetën në rrugët e kryeqytetit. Pika funksionon 10 vjet me qëllim që këta persona t’i integrojë në shoqëri që të mos i bëj të varur nga kjo pikë. Prandaj marrin këshilla, mbështetje psikologjike, gjegjësisht bëhet gjithçka që ata duhet ta kthejnë jetën në duart e tyre”, tha Suzana Tuneva Paunovska, sekretare e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit.
Arsyet më të shpeshta për shkak të të cilave këta persona janë bërë të pastrehë është falimentimi i disa bizneseve personale, marrëdhënie të pazgjidhura familjare, alkoolizmi, problemet psikike, depresionet dhe çrregullime të ndryshme nervore.
Sekretarja e Kryqit të Kuq të Shkupit paralajmëroi se do të bëhen përpjekje që në të ardhmen pika të punojë 24 orë gjatë tërë vitit, sepse, siç tha, vetëm me kontakte të përditshme me këta persona mund të punohet në risocializimin e tyre dhe në integrimin e tyre të sërishëm në shoqëri.
Sot është Dita botërore e të pastrehëve dhe në kuadër të shënimit në pikën Momin Potok për të pastrehët u sigurua drekë, donacion nga personi privat, si dhe ndihmë në këpucë për 70 të pastrehë të cilët rregullisht i shfrytëzojnë shërbimet e tyre. Pika mbështetet financiarisht edhe nga Qyteti i Shkupit, shumë kompani dhe qytetarë.