Osmani mbështet hetimin e PSP-së, si ministër nuk kam devijuar nga ligjet

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani sot deklaroi se si ministër i Shëndetësisë çdoherë ka punuar në pajtim me ligjet dhe në interes të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe se pret që të zbardhen të gjitha dilemat lidhur me ndonjë përfshirje të tij në keqpërdorime të dyshimta në Ministrinë e Shëndetësisë.

Marketing

“Qëndrimi im personal dhe qëndrimi i partisë është mbështetje e plotë e punës së Prokurorisë. Disa vite me radhë dëgjohen këto spekulime lidhur me disa keqpërdorime të dyshimta në Ministrinë e Shëndetësisë. Unë isha njëri prej atyre që insistova në hetim, nëse i ndiqni pjesëmarrjet e mia publike kam kërkuar sa më shpejtë të hapet hetim, sepse me të vërtetë nuk ka nevojë të qëndrojë vazhdimisht si njollë, dyshim eventual për punën time”, deklaroi sot, zëvendëskryeministri Osmani në Kumanovë, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve lidhur me hetimin e PSP-së në një lëndë të re kundër shumë personave, ndër ta edhe për të si ministër i atëhershëm i Shëndetësisë.

Osmani theksoi se edhe ai edhe partia e tij tani më kanë kërkuar hetim të plotë për funksionarët e saj nga viti 2002 e këtej.

Theksoi se i vjen mirë që më në fund është hapur ky hetim, roli i të cilit siç tha, është që t’i konfirmojë edhe faktet. Në kontekst të kësaj, Osmani shtoi se pret që Prokuroria shpejtë dhe në mënyrë sa më efikase ta përfundojë me hetimin.
Ai theksoi se si ministër i Shëndetësisë ka sjellë qindra, mijëra vendime për shumë projekte të cilat, siç shtoi, ende i shfrytëzojnë qytetarët.

“Unë kam parë në atë që kam mundur të lexoj edhe parashikim të caktuar. Oferta është 20 milionë më e lirë, e jo më e shtrenjtë sesa oferta e dytë e radhitur, megjithatë do të lë sa më shpejtë PSP-ja dhe institucionet t’i zbardhin këto fakte, ndërsa unë qëndroj në dispozicion në çdo kohë. Më vjen keq që paraprakisht nuk jam ftuar, para se të më përmendet emri im që të mund t’i them faktet, megjithatë në përgjegjësinë më të madhe politike, morale ose çfarë do qoftë tjetër, mund të konfirmoj se absolutisht nuk ka asnjë devijim nga ligjet gjatë të gjitha procedurave në Ministrinë e Shëndetësisë”, tha Osmani.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, Osmani tha se viteve të fundit ka dëgjuar lloj-lloj spekulime dhe shtoi se intenca e tij është që të hapet hetim, se nuk ka bërë lëshime ligjore.

“Nuk mund të prejudikoj, PSP-ja ka për obligim të hapë hetim për çdo dyshim, për çdo bisedë të përgjuar, interesi im personal ishte sa më shpejtë, sepse dy, tre vjet dëgjoj lloj-lloj spekulime, insistimi im ishte sa më shpejtë të hapet hetimi dhe të konstatohen faktet. Jam i bindur se faktet mund në çdo moment t’i japim se absolutisht nuk ka asnjë devijim në asnjë shkronjë nga ligji në cilëndo procedurë në Ministrinë e Shëndetësisë”, ka thënë Osmani.

Lidhur me numrin e siguruar të deputetëve të cilët do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese, Osmani tha se janë optimistë dhe se ka shumicë prej dy të tretave në Kuvend për ndryshime kushtetuese.

“Kuptohet se këtë do të duhet ta shohim të hënën. Megjithatë, ajo që është me rëndësi është se ajo shumicë prej dy të tretave nuk do të jetë e nevojshme vetëm gjatë votimit të parë, do të duhet edhe gjatë votimit të fundit, që do të jetë pas tre muajve.

Presim se do të ketë lloje të ndryshme të presioneve, ashtu që kjo e bën të ndërlikuar tërë procesin e ndryshimeve kushtetuese, megjithatë secili e kupton se alternativa e mossjelljes së vendimit tani në Kuvend është shumë e paparashikueshme, shumë e rrezikshme për shtetin”, deklaroi Osmani.
Ai mohoi çfarëdo presione ndaj tij.