Ndryshimet kushtetuese, Nikollovska: Debati të fokusohet në thelbin e çështjes

Debati në Kuvend rreth ndryshimeve Kushtetuese duhet të fokusohet në çështje thelbësore që kanë të bëjnë veçanërisht me propozimet e iniciuara nga Qeveria, vlerëson ish gjykatësja Margarita Caca Nikollovska. Sipas saj, tani opinioni ka mundësi të dëgjojë saktësisht se çfarë pritet të ndryshohet në Kushtetutë dhe të gjitha aspektet e Marrëveshjes me Greqinë rreth identitetit dhe gjuhës mund të shqyrtohen me detaje.

Marketing

Është treguar kahja e amendamenteve se në çfarë drejtimi do të shkojnë dhe pyetjen se a do të preket identiteti ose jo me ato amendamente, qytetarët do të mund të dëgjojnë nga debate të ndryshme, megjithatë me argumente të prezantohet e gjithë ajo që është e rëndësishme. Deri tani, disa argumente në këtë drejtim, nga seanca e djeshme, nga ana e opozitës nuk mund të them se u dëgjuan. Diskutimi i djeshëm nuk u fokusua shumë në thelbin e amendamenteve”- theksoi Margarita Caca Nikollovska, eksperte.

Nikollovska thekson se Rregullorja e Kuvendit është e qartë sa i takon procedurës parlamentare të ndryshimeve të iniciuara. Në rast se deputetët fokusohen në thelbin e çështjes dhe jo në pengimin e procesit, sipas saj, procedura mund të mbyllet edhe për dy muaj.

Rregullorja jep absolutisht tregues të saktë se kush sa mund të flasë, kur jepet replikë, sa mund të zgjasë ajo, për sa duhet që debati të kalojë nga Komisioni për çështje kushtetuese në seancë plenare, gjithçka është e caktuar me Rregulloren dhe mendoj se nëse ajo do të respektohet, diku mes një muaji e gjysmë dhe dy muajve, diku rreth 60 ditë, pa pengesa të veçanta formale për zgjatjen e seancës, do të mund të mbyllet e gjithë çështja në Kuvend”- tha Margarita Caca Nikollovska, eksperte.

Procedura për ndryshime kushtetuese e cila aktualisht është në Komisionin për çështje kushtetuese, duhet të kalojë në tre faza. Në fazën e pare në të cilën gjendet tani, Komisioni për çështje kushtetuese duhet të procedojë nismën e Qeverisë për qasje në ndryshim të Kushtetutës. Sipas rregullores së Kuvendit, e shumta 10 ditë mund të debatohen në Komisionin për çështje kushtetuese dhe e shumta dhjetë 10 ditë të tjera pasi çështja të kalojë në seancë plenare ku nevojiten 2/3 e votave. Faza e dytë përfshin vërtetimin e draft-amendamenteve.

Në plenare, draft-amendamentet miratohen me shumicë nga numri i përgjithshëm i deputetëve, 61 deputetë. Pasi Kuvendi t’i miratojë draft-amendamentet, ata shkojnë në fazën e debatit publik, kohëzgjatjen e të cilës e cakton vetë Kuvendi.

Gjatë kësaj faze, Qeveria duhet të përpilojë propozim-amendamentet. Për amendamentin e preambulës, përveç 2/3, nevojitet edhe shumicë me Badenter. Marrëveshja me Greqinë qartë parashikon zbatimin e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2018.