Komisioni kuvendor për financim dhe buxhet sot unanimisht dha mbështetje për propozim ligjin për shlyerje të normës së interesit nga borxhet e qytetarëve ndaj ndërmarrjeve të cilët kryejnë shërbime publike dhe komunale.
Komisioni i plotësoi bazat për shlyerje të normës së interesit dhe për taksën radiodifuzive, propozon sjellje të vendimit të përgjithshëm nga ata të cilët kanë kërkesa nga qytetarët në afat prej dhjetë ditëve dhe ulje të shpenzimeve ndaj noterëve, avokatëve dhe përmbaruesve në 20 për qind.
Kjo është e përmbajtur në plotësimet e amendamenteve të propozim-ligjit për shlyerje të normave të interesit për pagesë të borxheve të cilat dalin nga shërbimet nga kryesit e veprimtarive komunale, telefonisë, operatorëve mobil dhe kabllor, mirëmbajtjes së hapësirave të përbashkëta, ujitjes së tokave bujqësore, që i miratoi sot Komisioni kuvendor për financim dhe buxhet.
Ndryshimet e këtij propozim ligji, miratuar nga deputetët edhe nga opozita edhe nga partitë në pushtet, dolën nga debatet publike.
Me amendamentet propozohet që për shlyerje të normave të interesit të vlejnë edhe lëndët të cilat zhvillohen për borxhe për taksën radiodifuzive, që ishte lëshuar të vihet në propozim për arsye se ajo tashmë është hequr. Gjithashtu, parashihet të gjithë ndërmarrjet publike apo kompanitë private të cilat kryejnë shërbime të këtilla të sjellin vendime të përgjithshme nëse e pranojnë shlyerjen e normës së interesit për borxhe që i kanë qytetarët ndaj tyre.
Më pas, qytetarët do të mund në periudhë prej 12 muajve ta paguajnë borxhin dhe shpenzimet ndaj noterëve, avokatëve dhe përmbaruesve, të cilët ndërkaq tani ulen në 20 për qind, dhe më pas t’u zhbllokohen llogaritë nëse për shkak të vendimeve të kryera u janë bllokuar.
Ulja e shpenzimeve, thotë deputeti Panço Minov nga GROM është posaçërisht e rëndësishme për arsye që ndodhë për borxhe shumë të vogla të ketë shpenzime të mëdha për noterë, avokatë dhe përmbarues.
Me propozim-ligjin parashihet shlyerja e normave të interesit për borxhe në periudhë prej 26 majit të vitit 2006 deri në korrik të vitit 2011, periudhë e cila, siç tha Minov, është periudhë e kryerjes së funksionit ekzekutiv nga gjykatat kur ata kanë miratuar propozim vendime për borxhe të karakterit të këtillë. Ligji duhet të fillojë të zbatohet pas miratimit, përkatësisht pas publikimit në Gazetë zyrtare.
Deputetja Sonja Mirakovska nga PRSD, e cila në komision ishte përfaqësuese e propozuesve, është e bindur se ligji do të miratohet në formë të këtillë dhe do të funksionojë.
Ligjin për shlyerje të normës së interesit për pagesë të borxheve, në lexim të parë Kuvendi e miratoi nga fundi i qershorit. Në fillim të shtatorit debati në lexim të dytë i këtij komisioni ishte shlyer në mënyrë që të sendërtohen propozimet që dolën nga debatet publike.
Ligji i propozuar parasheh shlyerje të normës së interesit që përllogaritet nga parashtrimi i padisë për pagesë të detyrueshme të borxhit në të holla, deri në pagesën përfundimtare të kërkesës në të holla.
Bëhet fjalë për problem me të cilin qytetarët përballen për shkak se lëndët përmbaruese nga gjykatat janë bartur tek noterët, e më pas ato përfundojnë tek përmbaruesit. Në atë proces, viktima më të mëdha janë qytetarët të cilët u përballën me kamatvonesa dhe norma ndëshkuese të interesit për lëndë për të cilat nuk kanë qenë as të vetëdijshëm se ekzistojnë, e as që ka propozime për pagesë të detyrueshme.