Mbrëmjen e kësaj të diele, duke nisur nga ora 20:45, kuqezinjtë e Shqipërisë do të zbresin në fushën e blertë të stadiumit “Toto Turner” në Be’er Sheva të Izraelit, për t’u ndeshur me vendasit në sfidën e tretë të grupit të parë të ligës C.
Ndeshja do të gjykohet nga arbitri italian, Paolo Mazzoleni. Ekipi izraelit vjen pas triumfit të pak ditëve më parë ndaj Skocisë, me përmbysje rezultati, duke ndalur njëkohësisht një seri prej 4 humbjesh radhazi në shtëpi. Gjithsesi, ajo ishte vetëm fitorja e dytë në 11 ndeshjet e fundit për izraelitët.
Izraeli do të ketë mundësi të “hakmerret” dyfish, qoftë për humbjen 1-0 të pësuar “Elbasan Arena” sërish në kuadër të Ligës së Kombeve, ashtu dhe për humbjen e turpshme 3-0 përballë kuqezinjve në qershor të vitit 2017, kur drejtoheshin asokohe nga Gianni De Biasi.
Problemi kryesor për Izraelin mbetet shënimi i golave, teksa statistikat tregojnë se dy golat e shënuar ndaj skocezëve erdhën për herë të parë që prej marsit të vitit 2017, që kombëtarja e vendit hebre shënon në një sfidë të vetme.
Sa i përket renditjes në FIFA, Izraeli është vetëm 5 vende larg pozicionit më të ulët të regjistruar ndonjëherë (vendi i 98), duke mbajtur aktualisht vendin e 93-të.
Shqipëria, e cila renditet aktualisht në vendin e 57, vuan gjithashtu për shënimin e golave. Kuqezinjtë kanë shënuar vetëm dy gola në 6 takimet e fundit, ndërkohë që në 25 përballjet e fundit mbahen mend vetëm 3 raste kur ne kemi shënuar 3 ose më shumë gola, dy prej rasteve në fushë të huaj, përfshi edhe triumfin ndaj vet izraelitëve edicionin e kaluar.
Kuqezinjtë kanë gjithashtu një bilanc disi më të mirë jashtë fushe, sesa kur luajnë brenda. Konkretisht bëhet fjalë për 4 fitore, një barazim dhe 5 humbje në ndeshjet e luajtura jashtë dhe 3 fitore, një barazim e 6 humbje në takimet brenda.
Por, statistikat tregojnë gjithashtu se në sfidat e luajtura jashtë Shqipërisë, kuqezinjtë janë edhe më argëtues, pasi në 10 takimet e fundit jashtë është regjistruar një mesatare prej 2.8 golash për ndeshje.
Nëse duhet të veçojmë dy lojtarë për t’u pasur kujdes, ata janë Ben Sahar për Izraelin, i cili udhëhoqi ekipin ndaj Skocisë, si dhe Bekim Balaj, golashënuesi më i mirë me 4 gola i skuadrës aktuale të Shqipërisë.
Në 3 përballjet e drejtpërdrejta mes këtyre dy ekipeve janë regjistruar 9 kartonë të verdhë dhe 2 kartonë të kuq. Por, për izraelitët ka pasur vetëm një ose asnjë kartona në 7 prej 10 ndeshjeve të fundit. Ndërsa kuqezinjtë regjistrojnë edhe një tjetër statistikë: 61% e golave në 10 ndeshjet e fundit janë shënuar në pjesën e dytë.